Me 24-26 nëntor, në Durrës, u mbajt mbledhja tre ditore e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) ku morrën pjesë mbi 100 anëtare të Lobit, përfaqësuese të institucioneve lokale dhe anëtare të stafit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Pas akomodimit në Durrës, në ditën e parë të kësaj mbledhje, Igablle Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK, në fjalën e saj të hapjes falënderoi gjitha pjesëmarrëset nga 24 komunat që ishin prezent, njëkohësisht edhe për punën dhe angazhimin e përbashkët për vitin që po lëmë pas. Ajo tutje prezantoi një historik të shkurtër rreth Lobit për anëtaret asambleiste që ishin prezent për herë të parë, duke theksuar disa iniciativa avokuese që kanë rezultuar me sukses.
Para se anëtaret e Lobit të ndaheshin në grupe punuese për të përmbledhur punën dhe angazhaimin në çështjet e ngritura nga secila komunë për vitin 2017, znj. Rogova njoftoi të pranishmet për programin e kësaj mbledhje tre-ditore duke theksuar që qëllimi kryesor i këtij takimi është rrjetëzimi, solidarizimi dhe shkëmbimi i përvojave me njëra tjetrën, duke bërë kështu të lindin edhe bashkëpunime mes komunave për të përmirësuar pozitën e grave dhe të vajzave në komunat përkatëse.
Pjesa e dytë ishte e rezervuar për znj. Milva Ekonomin, Deputete në Parlamentin e Shqipërisë, e ftuar si folëse për bashkëpunimin mes grave në politikë dhe organizatave të grave në Shqipëri. Znj. Ekonomi ndau me të pranishmet përvojat e saja si grua që kishte punuar në gjetjen e analizën e statistikave të ndryshme shtetërore në Kosovë e Shqipëri, si grua pjesë e shoqërisë civile, si Ministre dhe së fundi si deputete në parlament. Pas fjalimit të saj të pranishmet patën mundësi që të bënin pyetje për çështjet që ato interesoheshin.
Ditën e dytë, pas punës në grupe punuese, nga një përfaqësuese për komunë prezantuan nga tre pika kryesore për të cilat do të angazhohen të punojnë gjatë vitit 2018. Disa nga iniciativat e planifikuara avokuese janë: Të avokohet për vajzat e reja për angazhim në politikë dhe fuqizimi i tyre në subjektet politike; Të avokohet për ndarje të barabartë në pozitat menaxheriale; Të avokohet për punësim dhe strehim për nënat vetushqyese; Të avokohet për fuqizimin ekonomik të grave përmes subvencioneve nëpër komuna; Të avokohet për zgjidhje të problemeve në qasje më cilësore në shërbimet shëndetësore për gratë; Të avokohet për bursa ose çështje tjera me rëndësi për arsimimin e vajzave dhe grave; e të tjera.
Pasditja ishte e ndarë për diskutim bashkë me National Democratic Institute (NDI). “NDI nuk bën vetëm trajnime që zgjasin disa ditë por ka vazhdimësi të punës, e pjesëmarrja e tyre sot dhe diskutimet që do të bëhen janë vazhdimësi e bashkëunimit tonë” u shpreh znj. Rogova kur po prezantonte NDI.
Menaxherja e Programit për Zhvillim të Partive Politike në NDI, znj. Pranvera Lipovica, pasi prezantoi punën që bëhet me Akademinë e Grave për Lidership dhe “Java e Gruas (Week of Women)”, theksoi për të pranishmet që sa i përket punës që bëhet me gratë, për NDI është me rëndësi që sa më shumë gra të jenë të angazhuara në jetën politike, me ç’rast edhe punohet me gratë dhe të rinjtë për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Qëllimi i pranisë së NDI në këtë mbledhje ishte që të dëgjohet zëri i grave për çështjet që ato mendojnë janë të rëndësishme të prezantohen gjatë Javës së Gruas 2018.
Në përmbylje të kësaj mbledhje, Lobi vendosi të dërgojë një reagim për media për të shfaqur paknaqësinë për përfaqësimin e ulët të grave në formacionin e Qeverisë së re.
Duke dëshmuar përsëri solidaritetin, gratë e Lobit mblodhën 400 euro për Ina M., një grua nga Prishtina që kishte nevojë për ndihmë për fëmijët e saj pasi kishte përjetuar dhunë në familje.
Kjo mbledhje është bërë e mundur me mbështjetje financiare nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).