Më 1 dhjetor është mbajtur mbledhja e radhës e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi).
Rreth 60 pjesëmarrëse diskutuan së bashku për të drejtat e grave në Kosovë, punën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe të organizatave anëtare për përmirësimin e jetës së grave e vajzave, si dhe për mundësitë e përbashkëta avokuese drejt fuqizimit të lëvizjes feministe në Kosovë.
Pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishte Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në nivel lokal, dhe roli i tij në fuqizimin socio-ekonomik të grave, si dhe prezantimi i Rrjetit Strategjik për Politika Gjinore- rrjet ky i cili është krijuar së fundi me qëllim përmirësimin e pjesëmarrjes së mirëfilltë të grave në politikë dhe luftimin e diskriminimit të grave në skenën politike, e pjesë e së cilit është edhe RrGK-ja.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova në fillim të takimit solli ndër mend se përgjatë gjithë rrugëtimit është përpjekur për arritjen e barazisë gjinore, mirëpo asnjëherë vetëm.
“Vetëm së bashku mund ta arrijmë barazinë gjinore”, tha Rogova, teksa falënderoi të pranishmet që janë mbledhur për të ndarë përvojat e tyre.
Tutje, Nita Bicurri, Menaxhere e Programit, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), prezantoi para të pranishmeve Rrjetin Strategjik për Politika Gjinore.
“Duhet të kujtojmë se edhe niveli lokal është shumë i rëndësishëm”, tha ajo duke diskutuar tutje për rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Ajo po ashtu ka përmendur rezultatin e zgjedhjeve lokale të tetorit 2021, duke theksuar se gratë nuk duhet të jenë pjesë e procesit politik vetëm gjatë zgjedhjeve. Pjesëmarrja e grave në politikë dhe procese vendim-marrëse duhet të jetë e vazhdueshme dhe aktive, vlerësoi ajo.
Pjesëmarrëset e çmuan nismën e Rrjetit Strategjik për Politika Gjinore dhe u zotuan për bashkëpunim përmes Lobit për Barazi Gjinore.
Në vijim të takimit, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit, Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK, bashkëbisedoi me pjesëmarrëset lidhur me zbatimin e BPGj-së në nivel lokal.
“Në Kosovë kemi bërë punë të rëndësishme për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, mirëpo kemi ende rrugë përpara për ta integruar atë në çdo program dhe këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku”, tha ajo ndër të tjerash.
Tashmë për vite me radhë RrGK punon për zbatimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor. Më shumë për këtë mund të gjeni në faqen tonë www.womensnetwork.org.
Po ashtu, kujtojmë se që nga themelimi i tij, Lobi punon drejt përmbushjes së vizionit pёr barazi gjinore përmes shkëmbimit tё përvojave, partneriteteve dhe rrjetëzimit. Në takimin e mbajtur në muajin qershor, anëtaret e Lobit diskutuan për pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet lokale, si dhe për mundësitë e avokimit dhe përkrahjes për gratë.
Në fund, Rogova ftoi anëtaret e Lobit që të bashkëngjiten në Kuvendin e 19 Vjetor të Anëtareve të RrGK-së, i cili do të mbahet më 11 dhjetor 2021, nga ora 11:00 – 14:00, në Hotel Emerald.
Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.