Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës, së bashku me shumë organizata të shoqërisë civile, veçse ia kanë dorëzuar partive politike një Manifest me kërkesa thelbësore për fuqizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.
Manifesti përmban 9 pika që theksojnë domosdoshmërinë që partitë politike ta kenë për barazi gjinore. Organizatat shpresojnë që këto kërkesa të integrohen në politikat dhe veprimet qeveritare dhe po ashtu të zbatohen në përpikëri, pavarësisht se cila parti do të udhëheqë vendin pas zgjedhjeve.
“Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të kenë prioritet dhe të mbrojnë të drejtat e grave. E ardhmja jonë varet nga përkushtimi për barazi, drejtësi dhe respekt për të gjithë qytetarët. Ky manifest përshkruan kërkesat thelbësore që do të duhej të respektohen dhe të integrohen në politikat e partive politike”, thuhet mes tjerash në Manifest.
Përmes këtyre 9 pikave, shoqëria civile i bën thirrje partive politike që t’i miratojnë dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj të drejtave të grave përmes veprimeve dhe politikave të tyre, por poashtu, u bëjnë thirrje votuesve që t’i mbajnë përgjegjës liderët politikë dhe të mbështesin kandidatët që kanë prioritet barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Më poshtë, janë 9 pikat e këtij Manifesti të nënshkruara nga shoqëria civile.
- Fushatë zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes
- Votoni dhe respektoni Ligjin e Punës
- Votoni Kodin Civil që mbron të drejtat e njeriut
- Zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor sipas Ligjit për Barazi Gjinore
- Zbatimi i Ligjit kundër Dhunës me Bazë Gjinore
- Rritja e qasjes në kopshte publike, duke përfshirë edhe zonat rurale
- Siguroni qasje në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe shëndet riprodhues
- Fuqizoni një sistem arsimor që ndryshon normat gjinore
- Respektimi i parimeve të Ligjit për Barazi Gjinore drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë
Ky Manifest përfaqëson një thirrje të qartë për barazi dhe veprim konkret për partitë politike dhe qytetarët e Kosovës.
KËTU mund ta lexoni Manifestin e plotë.