Marshim kundër ngacmimeve seksuale në hapsira publike

Edhe pse shiu nuk kishte të ndalur, nuk i pengoi qindra qytetarë që kishin dalë për të ngritur zërin e tyre kundër ngacmimeve seksuale në hapësirat publike, si pjesë e fushatës #TakeBackTheNight  #NataËshtëEJona), e organizuar nga FemACT.Kjo iniciativë u pëkrah nga RrGGK.
Gratë dhe burrat, të bashkuar, shënuan në mënyrë simbolike fillimin e luftës kundër ngacmimeve seksuale në hapsira publike.
   Që nga 22 nëntori, Forumi Feminist FemACT, ka filluar debatin në rrjetet sociale si pjesë e fushatës #TakeBackTheNight (#NataËshtëEJona), dhe ky debat ka zgjatur deri me 29 nëntor kur edhe është mbajtur marshimi.
Përmes fushatës, Forumi Feminist FemACT ka arritur të nxisë reagime nga më të ndryshmet, si pozitive ashtu edhe negative. Bashkimi dhe mobilizimi i vajzave e grave, djemve e burrave, pa dallim moshe e profesioni, është shumë inspirues për të gjithë që kanë përkrahur fushatën duke përdorur #TakeBackTheNight, përcjellur me citimet e ndryshme lidhur me ngacmimin seksual. Ndërsa reagimet negative në anën tjetër tregojnë sa i thellë është ky problem.
   “Urime që keni marrë këtë iniciativë kaq të nevojshme,” tha një përkrahëse. “Përgëzime për guximin që keni pasur ta inicioni këtë diskutim dhe faleminderit që na keni motivuar kaq shumë.”
Gjatë fushatës gjithashtu u realizua një video e xhiruar me një kamerë të fshehur që paraqet një vajzë e cila ngacmohet nga meshkuj të ndryshëm 50 herë gjatë 8 orëve, duke ecur në qytetin e Prishtinës. Video është shfaqur pas marshit dhe brenda tre ditëve ka pasur më tepër se 83,400 klikime në Youtube. Për ta shikuar videon ju lutem klikoni këtu.
  “Ne nuk mund të presim të kemi një shoqëri të sigurtë, kur mendojmë se është në rregull që gjysma e popullsisë tonë ndihen të rrezikuar në hapësira publike,” u shpreh një përkrahës i fushatës. “Askush nuk duhet të ketë frikë të ecë nëpër qytet vetëm, çdo njeri duhet të pajtohet me këtë fushatë. “
     RrGGK do të vazhdoj të organizoj dhe mbeshtesë inicativa kundër dhunës seksuale në hapësira publike.