Mbi parullën “Për Njana-Tjetrën” edhe këtë vit si çdo vit tjetër u marshua në rrugët e Prishtinës më 8 Mars. Në vazhdën e përdhunimeve të grave, dhunës fizike, vrasjeve të grave dhe pabarazisë gjinore Kolektivi Marshojmë S’festojmë organizoi marshin e 8 Marsit me trajektore nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Qeveria ku edhe u lexua fjalimi me kërkesa specifike për institucionet relevante që trajtojnë viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Si gra aktiviste, 8 Marsi gjithmonë na bën të reflektojmë mbi të gjitha ngjarjet që prekin jetën e grave përgjatë një viti. Vetëm gjatë vitit 2024 u vra Erona Cokli brenda institucionit të Qendres për Punë Sociale në Ferizaj, u vra Gjyljeta Ukelli nga burri në Pejë, u vra M.Zh nga burri në Graçanicë dhe Sherife Tahiri u qëllua nga burri i saj me pesë plumba por që arriti të mbijetojë. Të gjitha këto gra fillimisht ishin viktima të dhunës në familje dhe u vranë për faktin që janë gra. Gjithashtu gjatë vitit 2024, 2959 raste të dhunës në familje u raportuan në Polici të Kosovës. Jeta e grave në Kosovë vazhdon të jetë në rrezik, gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre dhe në ambientet ku ato duhet të ndihen të sigurta.

8 Marsi na kujton se si shpeshherë shoqëria në Kosovë normalizon dhunën, kjo sepse dhuna ende konsiderohet si çështje private. Përveç kësaj, 8 Marsi na kujton se si institucionet përgjegjëse për të ofruar siguri tek gratë dështojnë ta bëjnë atë. Kjo datë na kujton se si institucionet përgjegjëse që duhet të dënojnë abuzuesit e grave shpeshherë i falin ata apo i ndëshkojnë simbolikisht dhe legjetimojnë dhunën. Kjo detyrimisht krijon raste recidive. Mbi të gjitha, 8 Marsi na kujton punën e pandalshme të shumë vajzave dhe grave aktiviste dhe punën e shoqërisë civile për të përmirësuar jetën e grave në Kosovë në baza ditore. Na kujton sakrificën e të gjithë grave aktiviste në të gjithë botën që të kemi ato të drejtat e pakta që i gëzojmë tani.

Përveç kësaj, më këtë 8 Mars u marshua kundër lëvizjes anti-gjinisë, u marshua kundër institucioneve patriarkale, u marshua kundër dhunës dhe shtypjes sistematike të vajzave dhe grave. Barazia gjinore dhe e drejta për jetë të dinjitetshme vazhdon të mbetet lufta e vajzave dhe grave aktiviste derisa jeta e grave të jetë e sigurt në Kosovë, derisa gratë të trashëgojnë pronë, derisa puna e pa paguar të vlerësohet, derisa gratë të trajtohen me seriozitet nga institucionet përgjegjëse dhe dhuna të ndëshkohet.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas për të gjitha rastet e dhunës me baza gjinore përmes numrit të telefonit 048105800.
