Përfaqësues të institucioneve vendore, ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile diskutuan sot (me 16 shkurt) lidhur me parandalimin e dhunës në familje, në konferencën “Ndalja e ciklit të dhunës – programet për kryerësit e dhunës në familje”, organizuar nga Këshilli i Evropës, në Prishtinë.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ofruar rekomendime konkrete për gjithë procesin në vazhdim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dhuna në familje dhe ndaj grave ashtu sikur në gjithë botën edhe në Kosovë është alarmante dhe duhet të trajtohet me emergjencë. Ndikimi i faktorëve dhe normave sociale është i fuqishëm ku gratë përballen me pabarazi në gjitha sferat e jetës.
“Jemi dëshmitarë që dhuna përfundon edhe me fatalitet. Përkrahja kërkon qasje dhe bashkëveprim multi-sektorial që fuqizojnë viktimat që mos të përjetojnë asnjë lloj dhune. Raporti një vjeçar për vitin 2022 ka identifikuar intervenimet e suksesshme si dhe ato që po çalojnë,’’ tha Haxhiu.
Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë ka thënë se Organizatat e Shoqërisë Civile për të drejtat e grave, kanë luajtur një rol vendimtar në luftimin e dhunës ndaj grave dhe ato i kanë mbajtur këmbët tona në tokë, për t’u siguruar që ndërhyrjet tona synojnë audiencën e duhur.
Ndërkaq, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK, tha se që nga viti 2008 RrGK ka theksuar nevojën për transformimin e normave gjinore, adresimin e marrëdhënieve gjinore të pushtetit dhe sigurimin e një reagimi të përmirësuar institucional në trajtimin e dhunuesve drejt parandalimit të dhunës. Farnsworth shtoi se programet në lidhje me rehabilitimin e dhunuesve, duhet të reflektojnë poashtu në Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna me Bazë Gjinore, i cili duhet të finalizohet sa më parë të jetë e mundur.
Ajo shtoi se përgjegjësitë ligjore duhet të bëhen të qarta për institucionet përgjegjëse për rehabilitim, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve, koordinimin e punës, shkëmbimin e informacionit dhe monitorimin e pavarur të dhunuesve për një periudhë afatgjatë.
“Ne e dimë nga përvoja dhe hulumtimet e bëra që mënyra më e mirë për të parandaluar dhunën është transformimi i roleve, normave, strukturave dhe marrëdhënieve të socializuara gjinore që i vendosin gratë dhe vajzat në një pozitë të pabarabartë, këtu në Kosovë dhe në mbarë botën,” tha Farnsworth.
Rekomandimet tjera për Qeverinë e Kosovës nga RrGK- ja janë:
- Të vazhdohet puna ngushtë me OSHC-të në finalizimin e programeve të kryerësve të dhunës në Kosovë, duke u mbështetur nga ekspertiza e tyre;
- Të sigurohet që çdo program i kryerësve të dhunës të ketë një qasje gjithëpërfshirëse të bazuar në komunitet;
- Të qartësojë përgjegjësitë e institucioneve për të ndihmuar viktimat dhe monitorimin e rrezikut nga autorët, veçanërisht në finalizimin e kuadrit ligjor përkatës;
- Sigurimi i trajnimit adekuat për të gjithë lehtësuesit e programeve të dhunuesve dhe gjyqtarëve;
- Sigurohuni që të mos hiqni asnjë burim financiar nga programet e rehabilitimit për personat që kanë pësuar dhunë, pasi programet për ta duhet të kenë prioritet dhe financim fillimisht nga shteti;
- Vazhdimi i përpjekjeve për të transformuar normat tradicionale gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit që kontribuojnë në dhunën me bazë gjinore, nëpërmjet edukimit.
Caterina Bolognese, Shefe e Divizionit për Barazi Gjinore nga Këshilli i Evropës bëri të ditur se janë zhvilluar politika sipas strategjisë gjashtë vjeçare për ndalimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
“Fokusin e kemi vënë te djemtë dhe burrat. Kemi miratuar një mori udhëzimesh për burra dhe djem duke luftuar dhunën ndaj grave,” tha ajo.
Pas miratimit të kurrikulës, do të vazhdohet me hartimin e Programit për trajtim dhe punë më të përafërt në trajtimin e dhunuesve, drejt parandalimit të dhunës me bazë gjinore. RrGK pritet të jetë pjesë e grupit punues i cili do të hartojë këtë program, duke siguruar konsultimin dhe perspektivën e organizatave të grave të shoqërisë civile.