Rrjeti i Grave të Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin për Politika Sociale dhe Familjare dhe Këshillin Profesional për Politika Sociale dhe Familjare, ka organizuar trajnimin mbi kurrikulën “Puna me Viktimat e Dhunës në Familje: Trajtimi dhe Referimi”.
Ky trajnim dy ditor (22 dhe 23 shtator) mblodhi profesionistë të shërbimeve sociale nga komuna të ndryshme të regjionit të Prishtinës, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme për mësim, diskutim dhe shkëmbim përvojash mbi trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi:
- Kuptimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore;
- Kornizën ligjore dhe risitë sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit;
- Rolin dhe përgjegjësitë e profesionistëve të shërbimeve sociale në menaxhimin e rasteve, nga identifikimi dhe vlerësimi i rrezikut deri tek referimi dhe koordinimi ndër-institucional;
- Qasjen e përqendruar tek viktima dhe mbrojtjen e fëmijëve dëshmitarë të dhunës;
- Punën me grupet e tjera të ndjeshme, si gratë rome, ashkali e egjiptiane, viktimat LGBTQ+, migrantët dhe personat me aftësi të kufizuara.
“Trajnimet e tilla janë shumë të nevojshme për punëtorët social sepse këtu shkëmbejmë përvoja të ndryshme mësojmë nga njëri tjetri gjithashtu kemi rastin që të mësojmë më shumë nga praktika të tjera përmes ligjerueses”, tha një punëtore sociale.
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, duke kombinuar ligjëratat me diskutime, ushtrime praktike dhe punë në grupe. Pjesëmarrësit reflektuan mbi sfidat e përditshme që hasin në terren dhe ndanë ide për përmirësimin e qasjeve institucionale.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Institucionalizimi i Shërbimeve Cilësore të Rehabilitimit dhe Integrimit për të Mbijetuarit e Dhunës”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me mbështetjen e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.