Me moton “Nuk Jam e Padukshme” OPDMK shënon “Javën e Distrofisë Muskulare”

“Nuk jam e Padukshme” ishte mesazhi me të cilin Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), më 21 maj në Prizren shënoi Javën e Distrofisë Muskulare për vitin 2021.

Për ta shënuar këtë ngjarje, në parkun e Marashit u mbollën 42 fidane trëndafilash, si simbolikë për deputetet e Kuvendit të Kosovës, si dhe një fidan bredhi në nderim të presidentes së Kosovës.

Me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë rreth personave me aftësi të kufizuara si dhe nevojave të tyre, në Urën e Gurit në Prizren është vendosur instalacioni “Nuk jam e Padukshme”, si dhe në Sheshin e Dëshmorëve janë vendosur mesazhe vetëdijësuese, të cilat do të qëndrojnë aty një javë.

Drejtorja Ekzekutive e OPDMK-së, Antigona Shestan ka folur për rëndësinë që ka përfshirja e grave me aftësi të kufizuara në politikë dhe procese vendimmarrëse.

“Nuk jam e padukshme”, synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat dhe mundësitë, por edhe për problemet me të cilat përballen veçanërisht gratë më sëmundje progresive neuromuskulare”, tha ajo.

Tutje, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ndër të tjerash tha se gjithnjë ka qenë krenare me punën dhe aktivitetet e ndërmarra nga OPDMK, si organizatë anëtare e RrGK-së.

“OPDMK-ja ka pasur aq shumë aktivitete dhe aq shumë punë e guxim, saqë kur e kemi bë fushatën “Voto për më shumë gra në parlament”, e kur kanë dalur rrugëve të Prizrenit me karroca për të shpërndarë broshura, kjo ka qenë shenjë që askush nuk mundet me e ndalë vullnetin e kësaj organizate dhe të gjitha anëtareve të saj”, tha Rogova.

Kurse, Resmije Rahmani, Mobilizuese në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, ka shpresë se gratë në politikë do të jenë krah tyre.

“Ky është një hap i mirë që ju të gjithë të na përkrahni në misionin tonë. Ne sot do të mbjellim 42 trëndafila dhe shpresojmë se në zgjedhje lokale të votojmë sa më shumë gra, po u bëj apel që të votojmë sa më shumë gra, e pse jo të kemi edhe një përfaqësuese të grave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Rahmani para të pranishmëve.

Tutje, pjesëmarrësja Pranvera Musaj ka thënë se motoja “Nuk jam e padukshme”, i thotë të gjitha ato që duhet thënë.

“Për shkak se ne të shumtën e kohës konsiderohemi si pjesë e padukshme e shoqërisë, ose të paktën kështu ndihemi me gjithë barrierat e mungesat që i hasim vazhdimisht gjatë angazhimeve tona të përditshme”, shprehet Musaj, teksa shpjegon kuptimin e kësaj motoje.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Zëvendës kryeministrja Emilia Rexhepi, si dhe deputetja Drita Millaku.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

Lexo KËTU për shënimin e Javës së Distrofisë Muskulare të vitit të kaluar.