Në shumë komunitete në Kosovë, bisedat rreth shëndetit mendor dhe atij seksual ende mbeten të mbuluara nga heshtja, e më shumë për gratë dhe vajzat nga grupet jo-shumicë. Për gratë e komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Lipjan, qasja në informata dhe mbështetje për këto çështje ka munguar prej kohësh. Stigmatizimi, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore vetëm sa i kanë thelluar barrierat.
Më shumë se 236 gra dhe vajza nga komunitetet jo-shumicë të Lipjanit përfshirë gra Rome, Ashkali, Egjiptiane, Boshnjake, Kroate dhe Serbe, u mblodhën në hapësira ku më në fund mund të flisnin lirshëm, të bënin pyetje dhe të nisnin procesin e shërimit. Këto hapësira u organizuan nga Aleanca e Grave për Integrim (WAI), si pjesë e një iniciative më të gjerë për ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe seksual.
Dhimbja pas heshtjes
Për shumë gra, pjesëmarrja në këto sesione ishte një akt i guximshëm. Iniciativa ofroi 12 punëtori mbi tema që për disa pjesëmarrëse nuk ishin diskutuar kurrë më parë: depresioni pas lindjes, ankthi, stresi gjatë shtatzënisë, praktikat higjienike, të drejtat në shëndetin seksual dhe mënyrat për të marrë shërbime lokale. Por, përtej informacionit, këto sesione sollën çlirimin emocional. Gjatë njërit prej ushtrimeve të para të meditimit, mbi 50 gra filluan të qanin.
“Nuk e dija që ajo që ndjeja kishte një emër,” tha një nënë e re Ashkalie nga Gadime. “Kur dëgjova psikologen të flasë për depresionin pas lindjes, e kuptova: kjo ishte ajo që kisha kaluar. Dhe askush nuk më kishte thënë se ishte diçka e vërtetë, apo se mund të trajtohej.”
Një grua tjetër shtoi: “Ishte hera e parë që dikush u ul me ne, na dëgjoi dhe na tha që ndjenjat tona kanë rëndësi.”
Përballja me sfidat dhe kërkimi i ndryshimit
Gjatë sesioneve, gratë ndanë histori personale për diskriminimin dhe neglizhencën në institucionet publike shëndetësore, nga mohimi i shërbimeve pa pagesë nën tavolinë, deri tek kushtet jo të pastra dhe paragjykimi ngapunonjësit shëndetësorë.
WAI dokumentoi pesë ankesa zyrtare dhe bashkëpunoi me autoritetet lokale shëndetësore, përfshirë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan dhe Këshillin për Kujdesin ndaj Pacientëve, që këto çështje të dëgjoheshin.
Përveç sesioneve me pjesëmarrje fizike, fushata e vetëdijes arriti mbi 33,000 persona online dhe 300 familje derë më derë, duke shpërndarë broshura në gjuhë të ndryshme me informata të thjeshta e të kuptueshme për shëndetin mendor dhe riprodhues.
WAI gjithashtu u takua me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar përmirësime konkrete: qasje falas në produkte higjienike në klinika, heqje të taksave për artikujt e higjienës dhe rritje të shërbimeve shëndetësore mobile në zonat rurale. Këto diskutime, të mbështetura nga zëri i dhjetëra grave lokale, filluan të hapnin dyer që kishin qenë të mbyllura për vite me radhë.
Një hap drejt ndryshimit të qëndrueshëm
Edhe pse iniciativa zgjati vetëm tre muaj, ndryshimi që solli vazhdon të shihet. Për shumë gra, ishte hera e parë që mësuan si të marrin shërbim shëndetësor, të kuptojnë të drejtat e tyre, ose të kenë dikë me të cilin mund të flasin për problemet e tyre.
“Më parë mendonim se të jesh e sëmurë ishte thjesht fati ynë,” tha një grua e moshuar Rome nga Medveci. “Tani e dimë se mund të flasim dhe se dikush më në fund po na dëgjon.”
Nisma e WAI “Mobilizimi i grave dhe vajzave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane për të drejtat e tyre në shëndetin mendor dhe seksual” u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në shumën prej 5,000€, nga qershori deri në gusht 2023. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “E drejta për shëndet”.
