Medica Gjakova organizoi Konferencën “Fuqizo Gratë, Tani”

     Me 11 dhe 12 maj, Medica Gjakova dhe Medica Mondiale organizuan konferencën  ndërkombëtare “Fuqizo Gratë, Tani”, mbi situatën e të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë. Konferenca “Fuqizo Gratë, Tani” u mbajt në Hotel Pashtrik në Gjakovë, nën patronatin e Ambasadës së Austrisë, ku morën pjesë znj. Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës, Arban Abrashi, Ministër në Detyrë i Miristrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Gjakovës, Përfaqësues të Ambasadave dhe Zyrave të Huaja në Kosovë, përfaqësuese të organizatave të grave nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kroacia.
     Objektivë e kësaj konference ishte rritja e vetëdijes mbi konfliktin e ndërlidhur të dhunës seksuale dhe situatën e të mbijetuarve, si dhe të stigmës të shoqëruar me të. Kjo ngjarje dy ditore u fokusua në përmirësimin e ligjit mbi statusin e viktimave civile të luftës dhe familjarëve të tyre dhe në informimin se si gratë mund të kenë qasje në pensione dhe përfitime të tjera të ndërlidhura me ligjin.
     “Ne shpresojmë që përmes kësaj konference në Gjakovë ti shtyejmë gjërat përpara. Është e rëndësishme të njohim vuajtjet e tyre, të promovojmë pajtim dhe riaftësim në nivele shoqërore dhe të kontribuojmë në fuqizimin individual, në procesin e shërimit kolektiv si dhe në parandalimin e traumës ndër gjenerata”, tha znj. Monica Hauser, themeluese dhe drejtore e Medica Mondiale si dhe organizatë partnere gjermane e Medica Gjakova.
     Ndërsa ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, si nismëtare e përkrahjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, theksoi se: “si një ish-udhëheqëse e Kosovës do të dëshiroja të shihja më shumë angazhim duke i vënë prioritet çështjeve me interes për gratë. Megjithatë, kjo nuk duhet të na dekurajojë, por të na fuqizojë edhe më shumë në punën tonë të vazhdueshme në mbrojtje dhe përkrahje të grave, sidomos të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë. Andaj mendoj se kjo konferencë është stimulues i mirë për bashkëpunim rajonal”.
     Në mars 2014, asambleja e Kosovës ka aprovuar amandamentin e ligjit Nr. 04/L-054 mbi “statusin e të drejtave të martirëve, indvalidëve, veteranëve, antarëve të UÇK-së, viktimat civile të luftës dhe familjarëve të tyre” për të njohur zyrtarisht dhe për të përfshirë statusin e viktimave civile të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Statusi u jep të drejtë 20000 grave në Kosovë për pensione mujore dhe përfitime të tjera të përshkruara me ligj. Këshilli kombëtar mbi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i themeluar në vitin 2014 nga ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, që zhvilloi legjislacionin e nevojshëm dhe aktet nënligjore të nevojshme dhe krijojnë parakushtet për të siguruar që të mbijetuarat e dhunës seksuale do të kenë qasje në përfitimet e përmendura nga ligji paraprak.
     Medica Gjakova njëherit është edhe anëtare e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).