Melihate Ajeti dhe triumfi i saj në skenën teatrore dhe në emancipimin e gruas

Skenën teatrore të viteve ‘50 po e pushtonte një aktore 16-vjeçare. Ishte kjo Melihate Ajeti, e cila karrierën e filloi bashkë me Katarina Josipin, Leze Qenën, Naxhije Devën dhe emra tjerë të mëdhenj të skenës.

Ishte në mesin e grave të para të cilat për një kohë jo edhe aq falenderuese për të qenë aktore morën guximin për ta jetësuar ëndrrën. Përkundër paragjykimeve arriti ta fitojë respektin për aktrimin e artin skenik. Është ndër aktoret e vetme që është vlerësuar me të gjitha çmimet dhe shpërblimet që jepeshin në atë kohë në ish – Jugosllavi, duke shënjuar dhe vërtetuar jo vetëm ekzistencën skenike, por vlera të larta artistike kombëtare.

Doajenja e skenës shqiptare, Melihate Ajeti-Qena ishte mishërim i bukurisë dhe talentit të rrallë të aktrimit, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ajo ishte laureuar me çmimin më të madh të Kosovës me rolin e Margaret Goties.

Gazetarja e muzikantja Antigona Qena-Kaçaniku, e bija e aktores, thotë se e ëma ka pasur një krijimtari të jashtëzakonshme dhe se realizimet e saj artistike janë shpërblyer jo vetëm me duartrokitje frenetike nga publiku që e admironte, por edhe me shpërblime të shumta, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

“Dhe me siguri që historia e koha do t’i vendosin një ditë krijuesit tanë, që i kishim me vlera të vërteta, në piedestalet e tyre për t’i bërë nder kombit”, ka thënë Qena-Kaçaniku.

Primadona e skenës shqiptare, e cila mbahet mend sidomos për rolet e heroinave, në pesë dekada karrierë artistike, ka lënë gjurmë të pashlyeshme me rolet e saj në teatër, film, dramë televizive e seriale filmike.

Melihate Ajeti semimaturën e kreu në Prishtinë, ndërkaq vijoj shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comédie-Française).

Ajo u martua shumë e re me Muharrem Qenën.

“Atë ditë, me 17 shtator 1953, mëhallën tonë e pushtoi jehona e këngës. Meli po bëhej nuse, veçse nuk ishte i pranishëm i ati, Shaban Ajeti, për ta përcjellë të bijën. Vajza Antigona Qena është i vetmi fëmijë i këtij çifti”, shkruan Sanije Gashi në një libër ku është përfshirë edhe primadona e teatrit në Kosovë.

E bija e përshkruan nënën e saj si një grua me dinjitet, e ndjeshme, por jashtëzakonisht krenare, që mbyllej në vete, shoqërohej me librat e fletoret e saj. Vazhdimisht shkruante në fletore dhe ka lënë mbi 160 sosh me besim e porosi se një ditë duhet të botohen. Monografinë për Melihate Ajetin, e bija e botoi pas vdekjes së saj, në përvjetorin e 85-të të lindjes.

“Libri shpalos rrëfimin për një vajzë të trishtë që ende pa i bërë 16 vjet shkeli në Teatrin e Kosovës ku luajti mbi 180 role, kryesisht të para. Jeta e Melit ka qenë sa e bukur aq edhe e dhimbshme, edhe fëmijëria ime ka qenë po ashtu,” rrëfen Antigona duke sjellë dromca nga jeta pas ndarjes së prindërve të saj.

Në kujtimet e kolegëve Meli mbetet e pazëvendësueshme edhe sot.

Në “Rilindjen” e vitit 1973, kritiku Vehap Shita shkruante se “Ajeti ishte e lindur për rolet tragjike, që i luante me plot ndjenja lirike, krenari e dinjitet, që pasqyrohej në qëndrimin e të folurën e saj, me kthjelltësinë e mprehtësinë e shikimit të saj, në ashpërsinë e shprehjes, por edhe me antonimet më të holla senstitive-lirike.”

Në intervistën e fundit dhënë revistës Teuta në vitin 2004, Meli kishte dhënë një mesazh të çmueshëm.

“Shpresoj se do të vijnë ditë më të mira, më të begatshme dhe me nivel të lartë në çdo lëmë, për të gjithë njerëzimin. Shpresoj se edhe unë do ta përjetoj këtë prosperitet të popullit tim, këtë gëzim, bashkë me nipat e mi.”

Me rastin e 12 Qershorit të vitit 2012, Ditës së Lirisë të Republikës së Kosovës, atë kohë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori vendim për të dekoruar një numër personalitetesh të vendit dhe ndërkombëtarë. Melihate Ajeti, u dekorua me dekoratën “Medalja Presidenciale e Meritave “për kontributin e dhënë në fushën e artit. 

Melihate Ajeti u lind në Prishtinë më 1935 dhe ndërroi jetë në vitin 2005.