Midis Lindjes dhe Perëndimit: Solidariteti dhe aktivizmi feminist në fokus në ngjarjen e FBG dhe LEG

Më 5 dhjetor, Fondi Bullgar për Gratë (FBG), në bashkëpunim me Lobin Evropian të Grave (LEG), organizuan një ngjarje intime dhe frymëzuese që shqyrtoi çfarë do të thotë të ekzistosh “në mes”. Kjo nënkupton të jesh pjesë e Lindjes Globale, duke u orientuar në skenat filantropike dhe sistemet e vlerave të formuara nga Veriu Global. Ndër folëset ishte Nicole Farnsworth, zëvendësdrejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), e cila u bashkua me aktiviste feministe, fonde për gratë dhe krijuese politikash nga e gjithë Evropa Lindore për të reflektuar mbi mënyrën se si identiteti, burimet dhe aktivizmi ndërthuren në hapësirat ku Lindja takohet me Perëndimin.

Duke u fokusuar te mënyra se si lëvizjet feministe i përjetojnë dhe i menaxhojnë këto realitete të shumëfishta, diskutimi nxori në pah si arritjet, ashtu edhe sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen mbrojtësit e të drejtave të grave dhe lëvizjet feministe në Evropën Lindore dhe Ballkanin. Pjesëmarrëset reflektuan mbi trashëgiminë e tranzicioneve post-socialiste, kundërpërgjigjen në rritje ndaj të drejtave të grave dhe rritjen e narrativave konservatore – të gjitha këto që formësojnë kontekstin e organizimit feminist sot.

Farnsworth vuri në dukje rrënjët e rëndësishme feministe të “Grave në të Zeza” dhe të aktivisteve e rrjeteve feministe në ish-Jugosllavi, të cilat kanë frymëzuar dhe mbështetur rritjen e mëtejshme të lëvizjeve feministe sot. Ajo shprehu shqetësimin për shkurtimet e gjera të financimit nga disa prej donatorëve historikë të lëvizjeve feministe, përfshirë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe fondacionet private, të cilat paraqesin një kërcënim serioz për mbijetesën e organizatave për të drejtat e grave dhe vetë lëvizjes feministe në Ballkanin Perëndimor. Ajo bëri thirrje për zgjerimin e aleancave në nivel evropian dhe global, për të advokuar që Korniza e re Shumëvjeçare Financiare (KShF) e BE-së, dhe në veçanti Rregullorja për Monitorimin e Shpenzimeve dhe Performancës, të përfshijë rezultate dhe tregues specifikë për barazinë gjinore, në përputhje me parimet e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe vlerat e BE-së. Në të kundërt, financimi i ardhshëm i BE-së për organizatat e të drejtave të grave dhe lëvizjet feministe, si një nga burimet e pakta që ende mbeten në rajon, mund të vihet në rrezik. Për më tepër, BE-ja rrezikon të humbasë njërin prej partnerëve të saj më të rëndësishëm në avancimin e procesit të anëtarësimit dhe promovimin e vlerave të BE-së në rajon.

Së bashku, panelistet diskutuan mundësitë për zgjerimin e aleancave për avokim të përbashkët rreth KShF-së dhe rregullores së performancës, në përputhje me kërkesat dhe prioritetet e avokimit të Rrjetit Mbikëqyrës së Buxhetimit Gjinor dhe Rrjetit Evropian të Buxhetimit Gjinor.

Sofia Karakaidou nga Prospera – Rrjeti Ndërkombëtar i Fondeve për Gratë, theksoi se në kontekstin aktual të gjitha duhet të angazhohemi për të mbështetur njëra-tjetrën, edhe kur jemi të lodhura. “Të gjitha duhet të jemi të pranishme,” tha ajo, veçanërisht si individë. Nuk mund të mbështetemi vetëm te rrjetet që të na përfaqësojnë.

“Nuk po vjen askush të na shpëtojë … Ne duhet ta shpëtojmë vetveten,” tha Maya Doneva nga Lobi Evropian i Grave, e cila moderonte ngjarjen. “Ne jemi superheroinat!” Paneliste të tjera ishin Nadejda Dermendjieva, bashkëdrejtoreshë e FBG-së; Dina Loghin, kryetare e LEG, e cila foli mbi barrën administrative me të cilën përballen organizatat për të drejtat e grave kur menaxhojnë shumë projekte të vogla, në vend të fondeve afatgjata që kontribuojnë në qëndrueshmërinë e tyre; dhe Pille Tsopp-Pagan, drejtoreshë ekzekutive e Shërbimeve për Mbështetjen e Grave dhe anëtare e GREVIO-s, e cila theksoi rolin thelbësor të organizatave për të drejtat e grave në monitorimin e Konventës së Stambollit dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë për adresimin e dhunës me bazë gjinore.