Për vite me radhë, Rrjeti i Grave të Kosoves (RrGK), ka avokuar fuqishëm për alokim të mjaftueshëm të buxhetit për të mbuluar në tërësi shpenzimet e strehimoreve për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje. Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së grave dhe fëmijëve, është në përputhje me obligimet kushtetuese dhe përgjegjësitë ligjore të Kosovës.
Në vitet e fundit, mungesa e financimit të mjaftueshëm për strehimoret dhe financimi i tillë i vonuar, ka vënë gratë dhe fëmijet para rreziqeve të mëdha. Shumë gra dhe fëmijë mbetën rrugëve si pasojë e mbylljeve të strehimoreve për shkak të financimit të pamjaftueshëm në dhjetor të vitit 2018 dhe janar të këtij viti.
Fillimisht, draft-buxheti për vitin 2019, përsëri nuk përmbante një linjë të veçantë e cila do ti dedikohej specifikisht financimit të strehimoreve. Edhe pse një buxhet simbolik ekzistonte në kuadër të linjës buxhetore ndër kategorinë e shërbimeve sociale, ky i fundit nuk përmbushte të gjitha nevojat e strehimoreve. Në lidhje me këtë çështje, me 7 dhjetor, RrGK u ka dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar krijimin e një linje të re buxhetore në vlerë prej 660,000 euro, nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Sipas diskutimeve të drejtpërdrejta me strehimoret, ky buxhet i propozuar do të mbulonte të gjitha shpenzimet për strehimoret dhe qendrat ditore për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore. Ky buxhet ishte llogaritur paraprakisht bazuar në shpenzimet dhe nevojat e mëparshme të stafit të strehimoreve, duke llogaritur edhe mbulimin e shpenzimeve për dy strehimore të reja për gratë serbe në veri të Kosovës dhe në jug.
Pas dërgimit të kësaj letre, RrGK u ftua në takime me përfaqësues të partive të ndryshme politike, ndërsa grupi i grave deputeve propozoi dhe avokoi për amandamentim të ligjit në mënyrë që të sigurohet një linjë e re buxhetore për strehimoret.
Ndërsa me 3 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar buxhetin për vitin 2019, në të cilin është përkrahur kërkesa e RrGK-së që të sigurohet buxhet i përhershëm për strehimoret dhe qendrat ditore. Buxheti i këtij viti, përbën një linjë krejtësisht të re të quajtur ‘Shpenzimet bazike për strehimoret’ dhe parasheh një shumë prej 880.000 Eurove.
Edhe pse në fund të muajit shkurt 2019, strehimoret ende nuk kanë pranuar fonde për dy muajt e fundit për aktivitetet e tyre. Si rrjedhojë, shumë përfaqësues të strehimoreve kanë kontaktuar RrGK-në duke kërkuar mbështetje për avokim në shpërndarjen e këtyre fondeve të sapo miratuara nga Kuvendi. Javën e kaluar, RrGK i dërgoi një letër MPMS, duke kërkuar shpërndarjen e menjëhershme të fondeve të parapara për strehimoret.
Dje, me 28 shkurt, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skënder Reçica, kërkoi takim me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova. Ai konfirmoi se strehimoret dhe qendrat ditore do të financohen direkt nga kjo linjë buxhetore, në pajtim me rregullat për menaxhim të financave publike. Kjo do të sigurojë funksionimin adekuat të strehimoreve dhe do të eliminojë mbylljet e përkohshme apo problemet e ngjashme të cilat strehimoret i kanë hasur në vitin 2018 si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm.
RrGK dhe MPMS ranë dakord për të vazhduar bashkëpunimin e tyre në mbrojtjen e grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë. RrGk do vazhdojë të monitorojë zbatimin e kornizës ligjore në vitet në vijim, si pjesë e strategjisë për vitin 2019-2022.
Në ndërkohë, RrGK së bashku me strehimoret dhe qendrat ditore, ditë më parë përmes një letre, i kanë falenderuar të gjithë deputetët e Kosovës për punën e tyre dhe konfirmimin e kësaj mbështetjeje të rëndësishme. Gjithashtu, RrGK falënderon edhe akterët e ndryshëm që kanë qenë të përfshirë në iniciativat avokuese: Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Përfaqësuesi Special i BE-së, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, UN Women dhe anëtarët tjerë të grupit për siguri dhe çështje gjinore.
Në pajtim me Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, të cilën Kosova e ka bërë pjesë të Kushtetutës së saj (Neni 22), shtetet kanë përgjegjësinë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar dhunën, duke përfshirë masat mbrojtëse, si shërbime mbështetëse për viktimat. Caktimi i një buxheti të përhershëm për strehimoret për mbulimin e shpenzimeve të tyre, përfshirë këshillimin dhe përkujdesjen për viktimat e dhunës parashihet edhe në Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planit të Veprimit 2016-2020, të cilën Kosova e ka aprovuar në vitin 2016.
Procesi afatgjatë i avokimit që kontribuoi kundrejt këtij zhvillimi kaq të rëndësishëm është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna, të cilët e kanë financuar punën e stafit të RrGK në draftimin e shumë letrave, në krijimin e propozimeve të bazuara në fakte dhe në ndërmarrjen e iniciativave të vazhdueshme për avokim.