Ministria e Arsimit shënon sukses të rëndësishëm në BPGJ

Që nga marsi i këtij viti, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), janë duke bashkëpunuar drejt institucionalizimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në MAShT.
   Muaji korrik shënoi një sukses të veçantë në këtë bashkëpunim, pasi që MAShT-i, me përkrahje nga RrGGK, përgatiti një shtojcë (Aneks) lidhur me BPGJ-në për buxhetin e tyre vjetor. Kjo shtojcë shënon hapin e parë drejt institucionalizimit të suksesshëm të BPGJ-së në dokumente dhe procese buxhetore. Shtojca përmban të dhëna të ndara sipas gjinisë lidhur me përfituesit e bursave të universiteteve publike, si dhe të dhëna të ndara sipas gjinisë lidhur me stafin e kësaj Ministrie përfshirë nivelet e pagave të tyre. Këto të dhëna na ndihmojnë të shohim disa nga pabarazitë më të mëdha gjinore në alokimet buxhetore të MAShT-it, si dhe në njërin nga sektorët më të rëndësishëm në Kosovë: Arsimin. Identifikimi i pabarazive në shpenzimet e viteve të kaluara, mund të ofroj informata të rëndëshshime gjatë planifikimeve buxhetore në të ardhmen.
BPGJ tani është obligim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore në Republikën e Kosovës.
   Ligji i ri për Barazi Gjinore 05/L-020 ka një nen specifik mbi BPGJ-në, që obligon organizatat buxhetore të integrojnë BPGJ-në në procese dhe dokumente buxhetore. Për më tepër, Qarkorja Buxhetore 2016/02 e lëshuar nga Ministria e Financave në korrik 2015, ka inkurajuar të gjitha organizatat buxhetore të përfshijnë BPGJ-në në buxhetet e tyre vjetore. Shtojca e MAShT-it mund të përdoret si shembull shumë i mire për të gjitha Ministritë e tjera në Republikën e Kosovës.
   Ndërkohë, edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka arritur një sukses të ngjashëm duke përfshirë të dhëna të ndara sipas gjinisë në buxhetin vjetor.
Përderisa BPGJ është një koncept i thjeshtë dhe obligim ligjor, vazhdon ende të mbetet një praktikë e re në Kosovë. Shumë pak vende kanë arritur të integrojnë BPGJ-në në mënyrë të suksesshme në dokumente buxhetore (Berlini dhe Andalusia paraqesin shembuj të mirë). Për këtë arsye, MAShT-i është një prej shembujve kryesorë që tregon se si mund të integrohet BPGJ në dokument buxhetor.
Bashkëpunimi i RrGGK dhe MAShT-it drejt institucionalizimit të BPGJ-së është financuar nga Austrian Development Agency (ADA). Mbështetja e RrGGK ndaj MPMS-së është përkrahur nga Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ).