Moravski Biser, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK),ka përfunduar me sukses projektin shtatë mujor falë mbështetjes financiare nga Sigrid Rausing Trust.
Përmes kësaj nisme kjo organizatë ka mundësuar ndër të tjera pjesëmarrjen aktive të grave në politikë dhe jetën publike në nivel lokal.
Nga rezultatet e dala të hulumtimit Moravski Biser ka ardhur në përfundim se ka një përfshirje të dobët të grave në ngjarjet publike/shoqërore, si dhe ka një mungesë bashkëpunimini mes kuvendit komunal me gratë në komunitet.
Nga ana tjetër, përmes kësaj nisme dalin të dhëna inkurajuese që flasin për ekzistencën e motivimit, interesimin e grave për rrjetëzimin, përfshirjen në grupe, vizitat në grupe të tjera formale dhe joformale në vend dhe më gjerë.
Organizata ka informuar 10 gra në fushën e avokimit dhe ka rritur njohuritë e tyre për avancimin e pozitës së grave në komunitet. Pjesëmarrësit në takime kanë thënë se në komunitetin e tyre flitet pak ose aspak për barazinë gjinore.
Një nga gjërat më të dobishme gjatë trajnimit u vlerësua bashkëpunimi dhe lidhja e grave nga këto komuna si dhe shkëmbimi i ideve të përbashkëta për përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Ky aktivitet realizohet falë mbështetjes organizative të marrë nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).