Motrat Qiriazi: Aktivizmi i grave në Kosovë që nga vitet ’90 po rrëfehet në një libër

Nën tingujt e flautës e poezisë kushtuar Motrave Qiriazi, me 2 mars 2026, filloi mbrëmja e promovimit të librit “Motrat Qiriazi” Shoqatë Arsimimi dhe Rezistencë Civile në Kosovë, duke shënuar njëkohësisht 80-vjetorin e aktores dhe aktivistes Safete Rogova si dhe 36-vjetorin e themelimit të Shoqatës Motrat Qiriazi.

Libri, i botuar nga shtëpia botuese Buzuku dhe i shkruar nga Nicole Farnsworth, sjell për herë të parë rrëfimet e aktivisteve që vepruan përmes Shoqatës Motrat Qiriazi që nga viti 1989, në kohën kur regjimi i Slobodan Milošević shtypte sistematikisht arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë.

E themeluar nga Safete Rogova dhe Igballe Rogova, Shoqata Motrat Qiriazi luajti rol kyç në arsimimin dhe fuqizimin e grave gjatë viteve ’90. Në një kohë kur librat shqip konsideroheshin “ilegalë”, aktivistet hapën biblioteka të fshehta, organizuan shkolla dhe kurse shkrim-leximi, duke u mundësuar mbi 6,000 grave, veçanërisht në zonat rurale, qasje në arsim.

Shoqata Motrat Qiriazi ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në Kosovë. Ajo ndoqi dhe arsyetoi frymën e motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi, duke promovuar dije dhe arsimim, me emancipimin e vajzave dhe grave në zonat më të rrezikuara anembanë Kosovës, sidomos në Has, dhe në periudha tejet të vështira, sikurse ndodhi me popullatën e në veçanti me gratë e zhvendosura nga fillimi i terrorit serb në Kosovë. Edhe në rrethanat më të rënda që kaloi Kosova, ato nuk pushuan së vepruari duke ndihmuar njerëzit në nevojë në kampet e mbipopulluara në Bllace, Stankovec, Çegran, Kukës e anembanë shqiptarisë ku kishte refugjatë lufte.

Promovimi u mbajt në një hapësirë me simbolikë të veçantë. Hani i 2 Robertëve, gjatë viteve ’90, kishte shërbyer si vendtakim i jetës paralele kulturore dhe politike në Kosovë. Aktoret e mirënjohura Igballe Qena, Kumrije Hoxha dhe Drita Begolli lexuan pjesë nga libri, duke sjellë në jetë rrëfime prekëse për guximin, qëndrueshmërinë dhe fuqinë e heshtur të arsimit.

Mbrëmjen e hapi Presidentja Atifete Jahjaga, e cila në të kaluarën kishte dekoruar Motrat Qiriazi me medalje presidenciale për kontributin e tyre në arsim, kulturë dhe afirmimin e çështjes së Kosovës.

“Nëse dikush para shumë dekadash do të kishte thënë se do të shkruhej një libër për trashëgiminë e Motrave Qiriazi, askush nuk do ta kishte besuar. Por sot jemi këtu falë rrugës që ato e kanë trasuar,” tha Jahjaga, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit mes grave.

“Më lejoni që nga zemra t’ja uroj ditëlindjen Safetes,” vazhdoi tutje zonja Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Vajzat e Kosovës, përfshirë edhe mua, janë me fat që kanë gra si Safetja, si Igo, si Presidetja Jahjaga, e si plot aktiviste që po i shoh sot këtu pas një kohe të gjatë,” shtoi ajo.

E kur shpesh flasim, e besa edhe e ëndërrojmë bashkimin kombëtar, në fakt përmes aktivizmit të Motrave Qiriazi, ky bashkim ka ndodhur qysh moti, e shumë natyrshëm. Mikesha e kahmotshme, zonja Delina Fico, aktiviste, fjalën e saj e filloi me situatën e tanishme ku po jetojmë, të rrethuar me luftëra dhe urrejtje për njëri tjetrin, për migrantin për racën tjetër e për fenë e tjetrit. Ajo kujtoi se, edhe kur autoritetet e kohës ua ndërprenë burimet e jetesës, aktivistet vazhduan të punonin për të mbështetur gratë dhe vajzat, veçanërisht ato që nuk kishin mundësi të ngrinin zërin e tyre.

“E sot dua të ndalem dhe të nderoj njërën nga aktoret kryesore. Dua të nderoj një qenie të bukur njerëzore në kuptimin më të gjerë, zonjën Safete Rogova, bashkëthemeluese e Motrave Qiriazi krahas Igos të dashur dhe Nuredin Loxhës. Pasi njoha Safeten, ajo që më fasionoi më shumë ka qenë aftësia e saj për të thurur dashurinë për familjen nga e cila vinte dhe për familjen të cilën e krijoi…. E gjithë puna në teren me gra e vajza për tju hapur sytë dhe për tju dhënë lirinë,” shtoi zonja Fico.

Ndërsa zonja Vjosa Dobruna, një aktiviste e pandalshme dhe njëkohësisht edhe anëtare e bordit të RrGK, theksoi se përparimet e grave sot në jetën publike dhe institucionale janë rezultat i aktivizmit të grave të viteve ’90.

“Ju, Motrat Qiriazi, jeni të mdhaja ashtu si emri që mbani. Gratë e Kosovës kanë ditë me i identifiku sfidat edhe atëherë kur s’janë vërejt. Kanë ndërtu politika duke i emancipu gratë, duke i parë si faktorë në shoqëri. Ne kemi gra në pozita, Kryetare të Kuvendit, Presidente, kemi gra të suksesshme në kulturë, artiste të mëdha, por të gjitha këto nuk janë falë instiucioneve që as nuk kanë ekzistuar atëherë, por falë aktivizmit të grave,” u shpreh zonja Dobruna.

Në vazhdën e fjalëve mirënjohëse për punën dhe aktivizmin e jashtëzakonshëm, ajo e cila i plasoi fjalët në letër, ishte autorja e këtij libri, zonja Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtore dhe hulumtuese kryesore e RrGK.

“Kjo është historia e tyre. Unë thjeshtë kam dëgjuar shumë histori frymëzuese, dhe kam bërë aq sa kam mundur për të ndarë me të tjerët punën e tyre të jashtëzakonshme, me shpresën se kjo do të frymëzoj edhe gra e burra të tjerë, ashtu si mua” u shpreh zonja Nicole.

E për ta përmbyllur ëmbëlsisht këtë mbrëmje, doli në skenë zonja Safete Rogova. Ajo shprehu mirënjohjen e saj për aktivistet e Krushës së Vogël, aktivistet e Mitrovicës si dhe të gjithë të pranishmit në këtë promovim të veçantë, duke theksuar rolin e tyre në nderimin e trashëgimisë së Shoqatës Motrat Qiriazi.

“Faleminderit të gjithëve. Kontributi jonë ka qenë modest. Ne jemi frymëzu nga Motrat Qiriazi që nga hapja e shkollave të para shqipe, ku motoja e tyre ka qenë ‘do të punoj për mëmëdhenë, pastaj jetën ta mbaroj’. Po m’duket 80 i bona, po s’po m’lojnë me pushu. Do të vazhdoj bashkë me ty Igo dhe gjitha aktivistet e tjera,” përfundoi ajo me shumë emocione.

Libri “Motrat Qiriazi” dokumenton një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe rolin e grave në arsimim, rezistencë civile dhe ndërtim të shoqërisë, duke sjellë në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të aktivizmit të viteve ’90.