Muaji i Historisë së Grave: Rachel Wareham reflekton mbi trashëgiminë e Motrave Qiriazi

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka lansuar librin “Motrat Qiriazi”: Një Shoqatë për Edukim dhe Rezistencë Civile në Kosovë, i cili rrëfen historinë e Shoqatës Motrat Qiriazi dhe punën e saj për avancimin e arsimit të grave dhe vajzave, fuqizimin ekonomik dhe sigurinë gjatë dhe pas luftës së viteve 1990.

Ndër të pranishmet në promovimin e librit ishte edhe Rachel Wareham, e cila udhëtoi në Kosovë për këtë rast, si dhe për të festuar ditëlindjen e 80-të të mikeshës dhe koleges së saj afatgjatë, Safete Rogova. Vizita e saj përkoi gjithashtu me Muajin e Historisë së Grave. Gjatë vizitës në zyrën e RrGK-së, Rachel reflektoi mbi punën e rëndësishme që kishte bërë dikur së bashku me gratë e Motrave Qiriazi.

Rachel erdhi për herë të parë në rajonin e Ballkanit si vullnetare në Kroaci pas luftës në Bosnje. Gjatë qëndrimit atje, ajo mësoi për situatën në Kosovë dhe vendosi të vizitonte bashkëthemeluesen e Motrave Qiriazi dhe drejtoreshën ekzekutive të RrGK-së, Igo Rogova. Ajo vizitë u kthye në diçka shumë më të madhe dhe Rachel përfundoi duke jetuar në Kosovë nga viti 1995 deri në 2001, duke punuar me Motrat Qiriazi gjatë viteve të represionit serb, gjatë luftës dhe pas saj.

Rachel ishte përgjegjëse për punët administrative dhe financiare, si mbledhja e fondeve dhe shkrimi i propozimeve për projekte. Ajo shoqëroi Igo dhe Safete Rogovën në udhëtime nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës. Së bashku, ato themeluan biblioteka komunitare në gjuhën shqipe dhe organizuan aktivitete edukative dhe sportive për gratë dhe vajzat. Ndër iniciativat e tyre ishte edhe krijimi i ekipit të parë të volejbollit për vajza në Kosovë. Rachel gjithashtu mbajti trajnime për grupe grash në Kosovë dhe Maqedoni. Ajo ishte e pranishme në ditët e para të Rrjetit të Grave Rurale, e cili më vonë do të bëhej RrGK.

Duke reflektuar mbi atë kohë, Rachel theksoi rëndësinë e organizatave të bazuara në komunitet, me lidhje të forta me njerëzit. “Për shkak të mënyrës se si Safete, Igo dhe Marta i organizonin aktivitetet komunitare, grave ajo u dukej diçka shumë e njohur, si diçka e bërë apo dëgjuar më parë”, tha ajo. “Takimet zhvilloheshin në shtëpitë e dikujt nga komuniteti dhe në njëfarë mënyre, ishin një shkëputje nga monotonia.”

Nën kushte shtypëse, jeta e përditshme pothuajse u ndal.

“Nuk kishte shumë mundësi për gratë që të dilnin nga shtëpia… kështu që mendoj se në një farë mënyre ishte shumë emocionuese, si për nënat ashtu edhe për vajzat.” Ajo vazhdoi: “Por në përgjithësi, gratë vinin sepse e njihnin Martën dhe mësueset e tjera dhe i respektonin ato.”

Mes sfidave të asaj kohe, momentet e solidaritetit kishin një domethënie të thellë. Rachel kujton një histori veçanërisht prekëse që i ka mbetur në mendje ndër vite, duke treguar punën e palodhshme të Motrave Qiriazi dhe duke dëshmuar se edhe shpresat e vogla mund të të ndihmojnë të vazhdosh:

“Njëra nga aktivistet nga Mitrovica kishte një aftësi të kufizuar, njëra këmbë nuk i funksiononte… Kur u martua, ajo donte të ecte drejt altarit pa patericë. Kështu që, organizuam një mbledhje të brendshme fondesh për t’i blerë një protezë.”

Pavarësisht gjendjes financiare, u vendos që secila të kontribuonte nga 20 euro. Rachel vazhdoi: “Pastaj filloi lufta dhe u detyruam të largoheshim duke lënë gjithçka pas. Ato para ishin në një zarf në banesën e Igos. Kur u kthyem pas luftës, banesa ishte shkatërruar plotësisht… Kishte letra kudo – edhe zyra ishte aty.

Por Rachel nuk deshi t’i hidhte ato.“Thashë jo, më duhej të rindërtoja llogaritë, edhe pse donatorët nuk e kërkonin. Kalova nëpër të gjitha dokumentet dhe i sistemova, dhe e gjeta atë zarf me paratë ende brenda”, tha ajo duke buzëqeshur. “Ishte shumë bukur ta gjeja atë. Më në fund mundëm t’ia siguronim protezën.”

Kur u pyet për këshillat e saj mbi mbledhjen e fondeve sot, Rachel theksoi se peizazhi i financimit ka ndryshuar shumë. Nga ajo që kemi parë vitet e fundit, me mbylljen e USAID-it dhe reduktimin apo ndryshimin e prioriteteve të donatorëve të tjerë, Rachel këshillon grupet e grave që të mos supozojnë se gjërat do të mbeten të njëjta, por të kenë fleksibilitet dhe burime të ndryshme financimi. Ajo theksoi rëndësinë e fillimit nga vetë komuniteti, duke njohur burimet dhe forcat që ekzistojnë brenda tij.

“Do të thosha… dhe kjo është ajo për të cilën Motrat Qiriazi kanë qenë gjithmonë – bëhej fjalë për njerëzit. Nëse punon për një komunitet apo një grup, duhet të ruash lidhjet me të dhe të mos shpërqendrohesh nga gjëra të tjera”, tha Rachel. Ajo tregoi një shembull nga këto vitet e hershme, kur një donator ndërkombëtar dëshironte t’i dhuronte një automjet Motrave Qiriazi. Organizata refuzoi, duke zgjedhur të vazhdonte udhëtimin me autobus për të qëndruar pranë komuniteteve që i shërbente dhe për të mos u veçuar.

Për Rachel, forca e qëndrueshme e organizatave si RrgK qëndron në përkushtimin ndaj vlerave: “Një gjë që RrGK e ka bërë gjithmonë shumë mirë është të pasurit vlera dhe parime dhe të mos bërit kompromis për gjërat që nuk duhen komprometuar.”

“Por nuk mendoj se ka diçka që mund t’u mësoj grave kosovare”, shtoi ajo. “Ato janë shumë me përvojë. Duhet vetëm të dëgjojnë se kanë përvojë të madhe. Aktivizmi i tyre dhe ajo që bëjnë është e jashtëzakonshme.”

Rachel kujtoi se kur filloi lufta, aktorët ndërkombëtarë negocionin me Serbinë për të sjellë ndihma në Kosovë. “Një herë shkova me një nga ato kolona ndihme në Drenicë. Burrat e komunitetit kishin marrë traktorët për të dalë nga Drenica për të siguruar furnizime, dhe kishin marrë pelena, produkte menstruale… Grupet ndërkombëtare të ndihmës nuk i kishin ato në atë kohë”, tha ajo. Ajo që e preku më shumë ishte mënyra si burrat e trajtuan situatën: “Ishte shumë prekëse të shihje këta burra që pyesnin vetë gratë se çfarë u nevojitej dhe shkonin e i siguronin.” Kjo histori ilustron thelbin e Motrave Qiriazi: ndryshimi i vërtetë fillon nga komuniteti dhe janë vetë njerëzit ata që e dinë më mirë se çfarë nevojitet.

Pas largimit nga Kosova në vitin 2001, Rachel vazhdoi të punojë për të drejtat e grave në disa vende, përfshirë Afganistanin.

“Në të vërtetë, gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar nga Kosova – nga gratë këtu, nga Motrat Qiriazi, nga aktivistet, nga Igo, Safete dhe Marta”, tha Rachel me buzëqeshje në fytyrën e saj. “Kur dola në botën pas Kosovës, pas luftës, gjithmonë mora me vete frymën e Motrave Qiriazi dhe atë që më mësoi ky komunitet.”

Këtë Muaj të Historisë së Grave, ne kujtojmë punën jetike që grupet e grave në Kosovë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë. Ne nderojmë gra si Rachel, përkushtimi dhe solidariteti i të cilave kanë ndihmuar në forcimin e komuniteteve dhe në frymëzimin e brezave të aktivisteve.