Si pjesë e projektit “Buxhetimi Gjinor si një Mjet Transformues i Buxhetit për Institucionet Komunale” — duke ndërtuar mbi përpjekjet e mëparshme për promovimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) — Mitrovica Women’s Association for Human Rights (MWAHR), një anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ka vazhduar me avokimin për të siguruar që BPGJ dhe përfshirja e grave të reflektohen në procesin e planifikimit të Buxhetit Afatmesëm të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Nga shtatori 2023 deri në gusht 2024, MWAHR organizoi një seri takimesh konsultative me Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave, Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtorinë e Administratës Publike, Drejtorinë e Mirëqenies Sociale dhe Drejtorinë e Rinisë, Sporteve dhe Kulturës në Mitrovicën e Jugut. Së bashku me qytetarët, ata diskutuan rreth rëndësisë së integrimit të perspektivës gjinore në buxhetin komunal dhe që shërbimet dhe programet të jenë të qasshme dhe të barabarta për gratë dhe burrat. Rekomandime specifike u prezantuan për të gjitha drejtoritë.
Këto diskutime rezultuan në zotime konkrete nga zyrtarët komunalë, përfshirë rritjen e numrit të grave dhe vajzave që përfitojnë bursa, grante, mbështetje shëndetësore dhe pjesëmarrje në aktivitete kulturore dhe sportive. Veçanërisht, për herë të parë, Korniza e Buxhetit Afatmesëm përfshin objektiva për barazinë gjinore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e BPGJ-së në Mitrovicën e Jugut.
Një video e shkurtër që tregon momentet kyçe nga takimet konsultative dhe zërat e qytetarëve dhe zyrtarëve është e disponueshme këtu.
Ky projekt është përkrahur nga RrGK, në kuadër të Rrjetit Mbikqyrës të Buxhetit Gjinor (RrMBGJ) në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi, është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) që filloi në vitin 2023 dhe u finalizua në vitin 2024.