Organizata anëtare e RrGK-së, Naš Dom (shqip: Shtëpia jonë), përgjatë një viti ka realizuar me sukses nismën “Feminizmi për Fillestarë” falë mbështetjes së dhënë nga Fondi i Grave të Kosovës i RrGK-së.
Kjo organizatë përmes aktivitetve të ndryshme ka arritur të forcojë kapacitetet e dhjetëra të rejave e të rinjve nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë në promovimin e barazisë, të drejtave dhe lirive të grave, përkatësisht parimet themelore të feminizmit. Organizata është fokusuar në komunat e Novobërdës, Kamenicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit, Gjilanit e Shtërpcës, ndërsa përfitues ishin pjesëtarë të të gjitha komuniteteve.
Gjithashtu, organizata ka rritur përfshirjen e 80 të rinjve në mbrojtjen e të drejtave të grave për çështje specifike. Ndër rezultatet tjera është ngritja e ndërgjegjësimit të paktën 70 përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe këshilltarëve të kuvendeve lokale për feminizmin dhe ndikimin e tij në procesin e vendimmarrjes përmes tetë punëtorive lëvizëse në komuna të ndryshme.
Pastaj është arritur ndërgjegjësimi i 46 përfaqësuesve të institucioneve vendore, këshilltarëve të kuvendeve vendore, nga të cilët 7 burra dhe 8 gra të cilët janë përfshirë në proceset vendimmarrëse.
Përmes aktiviteteve tjera, Nas Dom ka arritur që 24 persona në 8 komuna të marrin pjesë në avokimin për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në nivel lokal.
Nas Dom ishte përfituese e grantit të raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.