E nisur nga një grup të rinjsh nga komuna e Drenasit, si përgjigje ndaj mungesës së aktiviteteve, organizata Humanus Vita është e përkushtuar në fuqizimin e grave, vajzave, të rinjve dhe pakicave, duke promovuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta për zhvillimin profesional dhe vendimmarrës.
Gjatë vitit të kaluar, Humanus Vita ka observuar orët e biologjisë në katër shkolla të Drenasit, për të identifikuar temat të cilat mësimdhënësit/et kanë tendencë t’i shmangin, si aspektet e edukimit seksual. Ky observim ka pasur për qëllim të vetëdijesojë të rinjtë e të rejat për rëndësinë e edukimit seksual, dhe të lehtësojë shpjegimin e këtyre temave pa ndrojtje nga ana e mësimdhënësve.
Këtë vit, Humanus Vita është duke zhvilluar një nismë, e cila është vazhdimësi e asaj të vitit të kaluar, dalë nga nevoja e parë nga vet organizata për të ndikuar në edukimin e të rinjve dhe të rejave në komunën e Drenasit. Observimi i orëve të lëndës së biologjisë në disa shkolla fillore dhe të mesme të kësaj komune, në observimin e mësimdhënësve kur duhet të ligjërojnë në temat e edukatës seksuale.
Sipas drejtores ekzekutive të organizatës, Doruntina Gashi, rëndësia e projektit është e madhe, duke pasur parasysh edhe pozitën e Drenasit si komunë, mentalitetin e komunitetit aty, e të fshatrave që ka. “E kam ditë që është i rëndësishëm por jo aq i rëndësishëm deri kur kemi fillu me realizu projektin”, thotë ajo.
Ideja për realizimin e kësaj nisme, ka rrënjë në vitin 2018, kur Humanus Vita kishte zhvilluar diçka të ngjashme në komunën e Skenderajt, iniciativën e titulluar “Informimi i të rinjve për rrezikun dhe mbrojtjen nga HIV/AIDS”, nga ku është kuptuar nevoja për aktivitete të tilla vetëdijesuese dhe informuese.
Përmes kësaj nisme, Humanus Vita ka zhvilluar observimin e mbarëvajtjes së orëve të biologjisë në 12 shkolla fillore të komunës së Drenasit, në klasët e 8-ta. “Observimi i orëve të lëndës së biologjisë, konkretisht në orët kur janë shpjeguar tema të edukatës seksuale, si te pjesa e riprodhimit”, thotë Doruntina Gashi.
Një nga sfidat kryesore ishte hezitimi i mësimdhënësve për të trajtuar tema që shoqëria jonë i sheh si tabu. Por, siç thekson Doruntina Gashi, “Esenca është me reagu dhe me pa rezultat”.
Në Drenas ka pasur raste të ngacmimeve seksuale në shkollë, dhe projekti jonë ka qenë i fokusuar aty, në rritjen e vetëdijesimit kur dikush është viktimë apo shkaktar i ngacmimit seksual.
Humanus Vita ka zhvilluar një observim të arsimtarëve në mënyrën se si do të elaborojnë lëndën e Biologjisë, respektivisht temat e edukatës seksuale të 12 shkollave fillore të komunës së Drenasit si dhe 12 intervista me arsimtarë të lëndëve të Biologjisë si për vlerësimin e perceptimeve të tyre për rëndësinë e përfshirjes së edukimit seksual në kurrikulën shkollore të klasës së 8 të lëndës së Biologjisë. “Prandaj shoqëria jonë ka turp në vene që nuk duhet me pasë turp”, thotë Doruntina.
Gjashtë shkolla fillore në komunën e Drenasit, përfshirë zonat rurale dhe qendrën e Drenasit, do të jenë në fokusin e observimit nga ekspertja për barazi gjinore dhe hulumtuesja e projektit. Si koordinatore e projektit, ajo do të observojë mënyrën se si trajtohen temat e edukimit seksual në lëndën e biologjisë për klasën e tetë.
Duke e parë të rëndësishëm rolin e mësimdhënësve, Humanus Vita ka realizuar intervista individuale me 12 mësimdhënës, e në 6 shkollat fillore përkatëse, për të analizuar dhe për të parë se sa i kushtojnë rëndësi aspekteve të edukimit seksual dhe ndikimin që do të ketë përfshirja e edukimit seksual të mirëfilltë në shkollë, për nxënësit.
Të dhënat nga këto anketa do të përmblidhen dhe do të prezantohen me një raport të detajuar, përfshirë rekomandime dhe konkludime për institucionet e nivelit lokal si dhe qendror për rëndësinë e përfshirjes së edukimit seksual në shkolla.
Humanus Vita synon të vazhdojë këtë projekt në komuna të tjera, duke sfiduar tabutë shoqërore dhe duke ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë njohuritë dhe vetëdijen për trupin dhe të drejtat e tyre.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej 9,933.50€, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).