Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë viktimat e dhunës në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”.
Për ta adresuar këtë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot më 27 qershor nga ora 11:30-22:00 në sheshin “Agim Ramadani” të Gjilanit organizon hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.
Kjo ekspozitë shpalosë disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RrGK. Për më tepër, ekspozita u mundëson qytetarëve të informohen mbi atë se çka ofrojnë institucionet në trajtimin e këtij lloji të dhunës, ku munden me u mbështet, dhe me kërku ndihmë e drejtësi.
Gjilani bëhet qyteti i dytë mikëpritës i kësaj ekspozite, pasi më 14 qershor kjo ekspozitë u hap fillimisht në Prishtinë. Ndërsa gjatë muajve të ardhshëm ekspozita do të shfaqet edhe në komuna të tjera të Kosovës.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).