Në Mbledhjen e Rregullt Anëtaret e RrGGK informohen mbi Barazinë Gjinore në Pronën e Paluajtshme

 Me 18 prill 2016, u mbajt mbledhja e radhës e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), ku morrën pjesë rreth 52 përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGGK-së, anëtarë të Bordit, miq dhe përkrahës të RrGGK, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pjesëtare të stafit të RrGGK. 
     Gjatë këtij takimi, Gentiana Murati, Asistente e Projektit për Fondin e Grave të Kosovës (FGK) në RrGGK, e cila i njoftoi të pranishmet lidhur me atë se cilat janë organizatat përfituese të raundit të 9-të të  FGK, duke ndarë detaje për titullin e projektit, emrin e organizatës, shumën e përfituar dhe se nga cili donatorë është përkrahur. 
     “Shumë shpejtë do të hapet edhe raundi i 10-të i FGK, prandaj ju që nuk keni fituar në këtë raund, mos hezitoni – ejani dhe na vizitoni, punojmë së bashku, ju ndihmojmë çka të keni nevojë dhe shpresojmë që të keni suksese në raundin e 10-të,” u shpreh Gentiana. 
     Në vazhdim pjesëtarja e grupit të alpinistëve që u ngjitën para disa javësh në majën e malit Kilimanxharo, zn. Merita Gashi, tregoi për këtë akt të guximshëm që kishte edhe një kauzë e cila përfshinte vendosjen në majën e këtij mali të banerit me mbishkrimin “Drejtësi për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë”, së bashku me flamurin e Kosovës. 
     Pastaj Shkumbin Asllani prezantoi mbi temën Barazia Gjinore në Pronën e Paluajtshme” pasi qw RrGGK së shpejti do të fillojë një fushatë mbi këtë temë, në kuadër të një projekti për të cilin ka fituar përkrahje nga PPSE Swisscontact, që do të përfshijë 5 komuna në asistimin e grave në regjistrimin e pronës së tyre. Në kuadër të këtij projekti, OJQ Artpolis do të përdorë forum teatrin që të ngrisë vetëdijen e komuniteteve; anëtaret e RrGGK do të trajnohen dhe pastaj të shkojnë në fushatë derë-më-derë që të përkrahin gratë fizikisht gjatë regjistrimit të pronës. Kjo përfshinë ndihmë ligjore falas dhe përkrahje në pagesën e shpenzimeve nëse ka nevojë. Do të bashkëpunohet me organizatat anëtare të RrGGK-së që kanë pranuar grante nga Fondi dhe me anëtaret e Lobit që me anë të metodës së njëjtë, të arrihet të ndikohen sa më shumë persona.