Këtë muaj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK) shpalli raundin e 18-të të granteve në shumën prej 215,000 €, falë donatorëve sikurse janë Fondacioni Sigrid Rausing (SRT), Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), Agjencioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
“Ne besojmë në punën e anëtareve të RrGK dhe ekipi i Fondit të Grave beson që edhe sivjet do të ketë një bashkëpunim me të gjitha ju. Këto grante janë edhe për mbështetje organizative dhe u ndihmon të gjitha anëtareve që të zbatojnë punën e tyre dhe të zbatojmë strategjinë të cilën e kemi përpiluar së bashku,” tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive ne RrGK, në sesionin e parë informues me anetaret e RrGK.
Përmes thirrjeve të publikuara në faqen e internetit të RrGK-së, organizatat anëtare janë ftuar të aplikojnë me iniciativa të cilat do të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore në Kosovë.
Më konkretisht, iniciativat e tyre duhet të kontribojnë direkt në realizimin e Strategjisë dhe objektivave të saj të identifikuara nga anëtaret e RrGK-së, në kuadër të Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2023-2026, duke avokuar për përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave, të cilat promovojnë të drejtat e njeriut dhe synojnë të sjellin ndryshime afatgjata.
Për t’i informuar organizatat anëtare në detaje, FGK ka mbajtur një sesion informues për 12 grantet që jepen nga Trusti Sigrid Rausing për mbështetje organizative, secili në vlerë prej 10.000€, 112.000€ në total.
Gjithashtu, janë mbajtur dy sesione infromuese në formë të punëtorive lidhur me grantet për fushën e edukimit dhe shëndetësisë, ku anëtaret patën mundësinë të punojnë direkt me ekspertët e fushave në dizajnimin e iniciativave të tyre bazuar në metodologjinë e zhvilluar dhe legjislacionin në vend. Më konkretisht, 15 grante do të jepen nga ADA dhe Sida, në vlerë prej 5.000€, 75.000€ në total.
Ndërsa sesioni tjetër informues është mbajtur edhe pë dy grantet që ndahen nga Zyra e Bashkimit Evropian, secili nga 10.000€, 20€ mijë në total.