Nazlije Gjaravina nga Gjakova është nënë e shtatë fëmijëve, gjashtë vajza dhe një djalë. Si një nënë e devotshme, ajo ka kushtuar jetën e saj të rris dhe të edukojë fëmijët. Edhe pse nuk ka vazhduar arsimimin e lartë, ajo ka punuar me zell për të zgjeruar talentin e saj në qepjen e veshjeve tradicionale. Të ardhurat që ajo ka fituar përmes punës u kanë ndihmuar që të kenë një jetë më të mirë së bashku me burrin dhe fëmijët e saj.
Në muajin korrik, Nazlija ka qenë pjesëmarrëse e takimeve të organizuara nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe organizata anëtare e saj “Femrat Aktive të Gjakovës”, ku ka mësuar më shumë rreth të drejtave të grave mbi trashëgiminë dhe regjistrim e pronës së përbashkët. Gjatë këtyre takimeve, aktivistja Valbona Rizvanolli ka ndarë informacionin se me Udhëzimin e ri Administrativ për Regjistrimin e Përbashkët të Pronës, çiftet mund të regjistrojnë pronën e përbashkët pa pagesë gjatë vitit 2016.
“Këto takime më kanë frymëzuar që të marr iniciativën të bisedoj më burrin tim për të regjistruar pronën në emër të përbashkët”, ka thënë ajo. “Fillova të mendoj se duhet të regjistroj pronën në emrin tim meqenëse është pa pagesë. Në fillim burri nuk ishte shumë i lumtur dhe më tha ‘pse ke nevojë ta regjistrosh?’. I thashë se ajo është edhe e imja dhe pas disa diskutimeve ramë dakord. Me ndihmën e RrGGK-së dhe të projektit, shkuam në noteri dhe komunë”.
Tani, ajo bashkë me burrin e saj janë duke pritur të marrin dokumentacionin përfundimtar.
“Pa takimet dhe ndihmën tuaj ndoshta kurrë nuk do ta regjistroja pronën", tha ajo.
Duke e ditur se sa e rëndësishme është që gratë të zotërojnë pronë, Nazlija ka në plan të sigurohet që vajzat e saj në të ardhmen t’i realizojnë të drejtat e tyre.
“Do të mundohem të ndajë pronën në mënyrë të barabartë për vajzat dhe djalin”, ka thënë ajo.
Projekti i Regjistrimit të Pronës është duke u zbatuar nga RrGGK dhe organizatat anëtare, me mbështetje të Swisscontact, Promovimi i Programit për Sektorin e Punësimit Privat, projekt i financuar nga Qeveria Zvicerane, që ka për synim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e gruas ndaj pasurive të paluajtshme dhe trashëgimisë. RrGGK dhe anëtarët e saj janë duke ofruar asistencë teknike për familjet ku gratë po kërkojnë të regjistrojnë pronën apo trashëgiminë e tyre. Aktivistë të RrGGK-së janë duke punuar në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë. Nëse ju apo dikush që njihni është duke kërkuar që të regjistrojë pronën apo trashëgiminë në emër të grave dhe keni nevojë për ndihmë, ju lutemi na kontaktoni në info@womensnetwork.org. Do të bëjmë më të mirën për të ju ndihmuar.
Shtëpia ima, e drejta ime.