Nermin Mahmuti ka kontribuar si anëtare dhe Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës për shumë vite me radhë.
Ajo ka qenë pjesë e bordit në disa periudha të ndryshme dhe, deri në vitin 2022, e ka ushtruar dy herë rolin e Kryetares. Aktualisht, Nermini është sërish në këtë pozitë, duke e parë udhëheqjen jo si privilegj individual, por si një përgjegjësi kolektive. Për të, puna e Kryetares nuk ndahet nga angazhimi i anëtareve të tjera – është një zë i përbashkët që flet në emër të të gjithave, me vendime të marra në harmoni dhe konsensus.
Për Mahmutin, motivimi për të qenë pjesë e Rrjetit të Grave është i qartë: besimi i thellë në misionin dhe rolin që kjo organizatë ka në jetën publike dhe politike të vendit.
“Rrjeti është një organizatë shumë e rëndësishme e cila mision të vetin e ka rolin e gruas dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës dhe është unike në aspektin e asaj se çfarë bën – është një zë i cili ka sjellë ndryshime në Kosovë”, thekson ajo.
Në një periudhë sfiduese për organizatat e shoqërisë civile, sidomos me zvogëlimin e përkrahjes financiare nga partnerët ndërkombëtarë, Mahmuti ka përqendruar fokusin e saj tek një nga aspektet më kritike të mbijetesës institucionale – sigurimi i fondeve.
“Ka me pasë edhe në të ardhmen pasoja nga tërheqja e shtetit amerikan në përkrahje të fondeve, dhe kjo është prezente edhe te shtetet tjera. Fokusi ka me qenë në lobim dhe në gjetje të reja të fondeve në të ardhmen, sepse jo vetëm Rrjeti por e gjithë shoqëria civile ka me qenë në krizë financiare – dhe kjo është sfida”.
Përveç rolit strategjik, Mahmuti ndan edhe një përparësi personale që e bën të ndjeshme ndaj sfidave të Rrjetit – përvoja e saj si drejtuese e një organizate të shoqërisë civile. Kjo i ka dhënë një ndjeshmëri të veçantë ndaj vështirësive administrative, financiare dhe strukturore që organizatat përballojnë përditë.
“Unë vet jam në këpucët e një drejtoreje të një organizate të shoqërisë civile dhe i di dhimbtë e sfidat, prandaj edhe është më lehtë për t’i kuptuar sfidat e Rrjetit”, shprehet ajo.
Për të, roli i Bordit nuk ndalet vetëm në mbështetje morale por kërkon përkushtim konkret në lobim dhe ngritje të zërit për të siguruar mbështetjen e nevojshme për organizatën dhe punën e saj. Ajo thotë se Rrjeti, nën drejtimin e Igballe Rogovës dhe me një staf të përkushtuar, ka arritur të mbajë gjallë një mision që është i domosdoshëm për shoqërinë kosovare.
Por Mahmuti nuk ndalet me kaq. Ajo ka një thirrje të fuqishme për brezin e ri të grave dhe vajzave që po rriten në një realitet që, sipas saj, po tregon shenja shqetësuese.
“Mesazhi im është që vajzat me qenë pak më aktive në aspektin e të drejtave të cilat u takojnë – nuk ua ka dhënë askush. Fatkeqësisht, ajo çfarë unë jam duke e vërejtur si një grua e cila i takon një gjenerate pak më të vjetër – janë duke u shfaqur disa probleme në familje – abuzime të ndryshme, dhe po frikohem që jemi duke u kthyer mbrapa”, thotë ajo.
Ky shqetësim është një thirrje për veprim. Për të, mbrojtja e të drejtave nuk është një betejë e përfunduar, por një proces që kërkon vigjilencë dhe përfshirje të vazhdueshme.
“Duhet me punu edhe më tutje në avokim dhe gratë dhe vajzat duhet të jenë më të zëshme – me ngrit zërin kur duhet – edhe në familje, edhe në shoqëri, edhe në komunitet”, thotë ajo.
Në fund, Mahmuti thekson se barazia dhe fuqizimi nuk mund të arrihen pa përfshirjen e të gjithëve – përfshirë këtu edhe burrat.
“Feminizmi duhet me qenë me një kontribut edhe nga gjinia mashkullore – sepse e vetmja mënyrë për të arritur sukses është kur të gjithë jemi bashkë”, tha ajo.
Zëri i Nermin Mahmutit është i qartë, i vendosur dhe i pandalshëm – një zë që jo vetëm përfaqëson gratë, por u bën thirrje të gjitha vajzave të mos heshtin kurrë.