Grante të Vogla, Ndryshime të Mëdha: Reflektim mbi Arritjet e Fondit të Grave të Kosovës të RrGK

“Ky projekt më ndihmoi të kuptoj më mirë të drejtat e mia si grua në Kosovë,” tha një grua që mori pjesë në tryezën e organizuar nga organizata Norma për të drejtat pronësore. “Tani ndihem më e sigurt të kërkoj atë që më takon sipas ligjit.”

Ky moment i vogël, që për këtë grua ishte revolucionar, është një nga mijëra që u bënë të mundura nga Fondi i Grave të Kosovës nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK). Që nga themelimi i tij në vitin 2012, ky fond i vogël, por me ndikim të madh, ka ndihmuar gra në çdo cep të vendit të ngrenë zërin, të sfidojnë padrejtësinë dhe të ndërtojnë jetë më të sigurta e të dinjitetshme.

Fondi nuk ishte thjesht një burim financimi. Ishte një platformë për mbështetje, solidaritet dhe rritje. Me mbi 1 milion euro të shpërndara në 197 grante për 107 organizata, ai ka arritur në mbi 21,000 gra, vajza, burra e djem – duke u fokusuar veçanërisht në gratë e margjinalizuara, nga zonat rurale, pakicat etnike apo të mbijetuarat e dhunës.

“Na ndihmoi të arrinim gra që nuk do t’i kishim arritur kurrë ndryshe,” thotë Donjeta Berisha, e cila e menaxhoi Fondin për më shumë se një dekadë. “Ishte i thjeshtë, i drejtë dhe i përkushtuar për ndryshim nga poshtë.”

Disa nga historitë që kanë lënë gjurmë:

  • Në Vushtrri, fëmijët që jetonin më shumë se pesë kilometra larg shkollës filluan të udhëtojnë falas, pas një avokimi të udhëhequr nga gratë. 
  • Në Gjakovë, punëtorët shëndetësorë u trajnuan për t’u qasur me ndjeshmëri ndaj traumës ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe dhunës në familje. 
  • Në komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, gratë filluan për herë të parë të kenë qasje në shërbime gjinekologjike. 
  • 3,095 vajza dhe gra u frymëzuan të kërkojnë të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor. 
  • 335 gra, përfshirë të mbijetuara të dhunës, e fituan pronën e tyre ligjore falë mbështetjes direkte nga grante të vogla. 
  • Në Drenas, një linjë telefonike shëndetësore u solli ndihmë grave në zona të izoluara.

Por nuk ishin vetëm ndryshime në politika dhe shërbime, ishin edhe transformime të thella personale.

“Tani e di ku të drejtohem kur më shkelen të drejtat,” tha një përfituese nga organizata EcoKos Women. “E kam gjetur zërin tim dhe dua ta përdor jo vetëm për veten, por edhe për të tjerat.”

Fondi i Grave të Kosovës gjithashtu bashkoi gra nga komunitete të ndryshme etnike; shqiptare, serbe, rome, ashkali, egjiptiane, boshnjake dhe turke, për të punuar së bashku në projekte të përbashkëta, duke ndërtuar ura përtej ndarjeve.

Për shumë aktiviste, mbështetja nuk ishte vetëm financiare. Ishte një mundësi për të mësuar të shkruanin një projekt, të menaxhonin një buxhet, të avokonin vetë. “Ishte më shumë se një grant. Ishte besim. Ishte motivim. Ishte forcë,” tha një përfituese e re.

Sot, pas më shumë se një dekade, Fondi i Grave të Kosovës ka pauzuar për herë të parë për shkak të mungesës së burimeve financiare. Dhe me këtë pauzë, ka mbetur një boshllëk i madh për organizatat e vogla që veprojnë në terren, të cilat përballen me barriera të shumta për të pasur qasje në fonde të mëdha dhe procedura të ndërlikuara. 

Por ndikimi i Fondit nuk do të ndalet me pauzën e tij. Shumë gra janë ende duke vepruar, duke ndërtuar, duke sfiduar padrejtësinë të fuqizuara me aftësitë dhe vetëbesimin që fituan përmes kësaj mbështetjeje. 

“Pas çdo granti është një grua, apo një grup grash, që pati guximin të ndryshojë diçka,” thotë Gentiana Murati, që e menaxhoi Fondin për disa vite. “Ky fond nuk ishte vetëm për financim. Ishte një vijë shpëtimi, një besim që gratë e dinë më së miri se si ta ndryshojnë botën e tyre.” 

RrGK mbetet e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen për anëtaret e saj përmes solidaritetit, bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave. Sepse lëvizja vazhdon. Dhe zëri i grave nuk do të shuhet. 

Fondi i Grave të kosovës është mbështetur nga: Fondacioni Kvinna till Kvinna, Agjencia Austriake për Zhvillim, Komisioni Evropian, Fondi Sigrid Rausing, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), UN Women dhe UNFPA.