A mund ta “paketojmë” jetën tonë në valixhe për një javë dhe t’ia fillojmë nga e para? Anda tregon si e ka bërë një gjë të tillë dhe si po kontribuon në vendin e saj tani me përkushtim.
Anda Krasniqi është një nga vullnetaret entuziaste që i është bashkuar ekipit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) nga shkurti i këtij viti. Ajo ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës së saj në Spanjë, e rritur nga dy prindër kosovarë që ishin larguar nga Kosova para fillimit të luftës, dhe gjithmonë ka qenë e lidhur me vendin e saj të prejardhjes. “E falënderoj mamin që i ka dhanë shumë rëndësi mësimit të gjuhës shqipe për mu, ajo m’ka shty me qenë shumë e lidhur me gjuhën shqipe dhe me Kosovën”, tregoi Anda.
Kur nëna e Andës kishte vendosur të kthehet në Kosovë për të qenë më afër familjes së saj, edhe për Andën trajektorja në të cilën jeta e saj po lëvizte, ndryshoi shumë. Për një kohë të shkurtër ajo e mori vendimin të kthehej në Kosovë në moshën 18-vjeçare. “E kom ba një ndryshim kolosal me ardhë në Kosovë, me i fillu studimet këtu”, rrëfen ajo.
Me fillimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës, në degën e Filozofisë, Anda filloi një jetë të re në Kosovë, duke u shoqëruar e duke formuar një rreth të ri këtu. “Mu m’ka ba tepër mirë ndryshimi që e kam ba me kthimin në Kosovë, sa shumë pasuni në aspektin shoqëror kom fitu në këtë vend”, shtoi Anda.
Duke qenë se Spanja është një nga vendet që akoma nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, kjo ka qenë një nga shtysat më të forta të Andës, për të lënë rehatinë e stabilitetin e jetës që e kishte ndërtuar aty, për t’u kthyer në Kosovë. “Është dashtë gjithmonë me u identifiku me një identitet nacional që ti nuk ke dashtë. Edhe pse e kam shoqninë më të mirë atje edhe janë kanë shumë pro pavarësisë së Kosovës si shtet, është ajo, si të identifikon vetë shteti”, tregoi Anda.
Me entuziazëm dhe kureshtje për punën, energji për të kontribuuar për një kauzë të fortë, Anda sjellë një frymë të re në Rrjet. Ajo është e angazhuar në projektin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, përmes të cilit tregon që është edhe duke u familjarizuar me procese të ndryshme të punës dhe aspekte me të cilat nuk ka qenë e njohur më parë. Ligjet dhe funksionimi i tyre, gjendja e komuniteteve pakicë në Kosovë, dhe tema të tjera të rëndësishme, Anda po i mëson gjatë punës së saj në Rrjet.
Anda ka një entuziazëm të pamohueshëm për të kontribuuar në RrGK, duke u shprehur që secili person duhet të ndihet përgjegjës ndaj shoqërisë ku bën pjesë, e të mos qëndrojmë të heshtur. “Më duket që secili person duhet me pasë atë përgjegjësi ndaj shoqnisë… Njerëzit po ndëshkohen për atë se çka janë”, u shpreh ajo.
Gjatë tri viteve të fundit, Anda ka punuar si konsulente për sigurime shëndetësore, një punë interesante që e ka ndihmuar atë të gjejë një pjesë të vetes duke i zhvilluar aftësitë e saj në komunikim.
Ajo punon në RrGK disa orë në ditë gjatë javës, dhe i pëlqen të jetë aktivisht duke zhvilluar ndonjë aktivitet; luan tenis siç ka bërë si e vogël dhe ka pasion të pikturojë. Është adhuruese e kinematografisë dhe një pjesë të kohës e kalon duke ia dedikuar filmave të preferuar.
Anda ka bërë një ndryshim të madh në jetën e saj dhe ka dhënë një shembull të shkëlqyer se si pasioni dhe angazhimi mund të çojnë në ndryshime pozitive dhe të rëndësishme për shoqërinë.
Rrjeti i Grave të Kosovës po vazhdon të bëjë thirrje për individë nga të gjitha grupet dhe komunitetet, pavarësisht moshës dhe përkatësisë, që të angazhohen aktivisht në forcimin e lëvizjes feministe në Kosovë. Kur më shumë njerëz dalin përpara, më shumë zëra dëgjohen dhe ndryshimi i vërtetë bëhet i mundur. Ky është një moment për të qëndruar bashkë, për të sfiduar pabarazinë dhe për të ndërtuar një shoqëri ku drejtësia gjinore nuk është vetëm një objektiv, por një realitet.
Përmes Programit tonë të Vullnetarizmit, ne ofrojmë një hapësirë për mësim, avokim dhe veprim. Pavarësisht nëse jeni një hulumtues shkencor, aktivist, student apo thjesht dikush që ka pasion për të drejtat e njeriut, angazhimi juaj mund të bëjë një ndryshim. Duke u bashkuar me ne, do të keni mundësinë të zhvilloni aftësi të reja, të kontribuoni në hulumtime dhe të thelloni kuptimin tuaj mbi sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë, si dhuna me bazë gjinore, pabarazia ekonomike dhe diskriminimi sistematik.
Gjatë viteve, ne kemi angazhuar të paktën 392 vullnetarë të ndryshëm nga Kosova dhe më gjerë, duke i fuqizuar ata me mjetet për t’u bërë avokatë për ndryshim. Tani, ne po zgjerim këtë lëvizje dhe kemi nevojë për ju. Së bashku, mund të ndërtojmë një lëvizje feministe më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse – një lëvizje që amplifikon zëra, ndikon në politika dhe hap rrugën për një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë.
Nëse dëshironi të kontribuoni si vullnetar, si Anda dhe vullnetarët tanë të tjerë të përkushtuar, ju lutem na kontaktoni në info@womensnetwork.org për të mësuar më shumë mbi Programin tonë të Vullnetarëve.