Nga Kujdesi për të Tjerët, tek Kujdesi për Veten

Prej datës 23 deri më 26 qershor 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi një punëtori katërditore me stafin e strehimoreve dhe organizatave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale gjatë luftës. Punëtoria kishte për qëllim mbështetjen e mirëqenies emocionale dhe profesionale të punëtorëve socialë, përmes supervizimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të djegies emocionale (burnout).

Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre, reflektuan mbi sfidat emocionale që përjetojnë në punën e përditshme, dhe u pajisën me mjete konkrete për vetë-kujdes dhe menaxhim të stresit.

“Kam menduar se nuk jam për këtë punë. Pas pesë vitesh u dorëzova, sepse nuk kisha me kë të flas për barrën emocionale që përjetoja çdo ditë,” – tha njëra nga pjesëmarrëset gjatë një ushtrimi reflektues.

Një pjesëmarrëse tjetër shtoi: “Duke u përpjekur të dukemi të forta përballë klienteve tona, ne shpesh shtypim ndjenjat tona. Nuk ia lejojmë vetes të ndjejmë, vetëm që të dukemi të fuqishme për to.”

Gjatë sesioneve të punëtorisë u trajtuan tema si kuptimi dhe simptomat e djegies emocionale, ndërtimi i qëndrueshmërisë ekipore, supervizimi klinik dhe kolegial, dhe vendosja e kufijve të shëndetshëm emocionalë në punë. Një pjesëmarrëse nga komuniteti serb theksoi: “Çdo herë që flisni për përvojat tuaja, unë mësoj si të veproj në raste të ngjashme. Shembujt konkretë më ndihmojnë të reflektoj mbi përballjet e mia.

Punëtoria u udhëhoq nga psikologet klinike Melis Bilibani dhe Tringa Lajqi, të cilat përmes qasjes profesionale dhe ushtrimeve interaktive krijuan një hapësirë mbështetëse për të gjithë pjesëmarrësit.

Në fund të trajnimit, pjesëmarrëset u ndanë të kënaqura, duke theksuar se ndihen më energjike dhe më të gatshme për të vazhduar me angazhimin e tyre të përditshëm në mbrojtje të grave dhe vajzave që përjetojnë dhunë.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Nismës për Institucionalizimin e Shërbimeve Cilësore të Rehabilitimit dhe Integrimit për të Mbijetuarit e Dhunës, e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.