Handikos Mitrovica është një organizatë që punon me dhe për personat me aftësi të kufizuara, duke synuar përfshirjen e tyre në një jetë të barabartë dhe aktive në shoqëri. Misioni i organizatës është të identifikojë, të mbështesë dhe të fuqizojë këta individë përmes edukimit, punësimit dhe aktiviteteve që promovojnë barazinë dhe dinjitetin e tyre.
Evidentimi dhe zbulimi i personave me aftësi të kufizuara, nëpër fshatra apo zona të tjera, është një nga qëllimet kryesore të organizatës. “Përpara janë fshehë personat me aftësi të kufizuara, zakonisht nuk kanë tregu familjarët, kështu që ne e bëjmë evidentimin, zbulimin dhe i mbulojmë me nevojat e tyre për mjete ortopedike, e sanitare”, tregon Myrvete Hasani, drejtore e Handikos Mitrovica.
Është e vështirë për personat me aftësi të kufizuara të kenë një jetë normale, sidomos në aspektet praktike, si transporti dhe qasja në shërbimet shëndetësore të cilat shpesh u krijojnë pengesa, objekte e rrugë te zakonshme, shkollimi e daljet e zakonshme. Përveq këtyre sfidave, personat me aftësi të kufizuara e kanë pengesën e pranimit nga shoqëria, si barrë që e rëndon shpeshherë gjendjen e tyre. Gratë me aftësi të kufizuara e përjetojnë këtë diskriminim edhe më shumë, duke qenë shpesh më të penalizuara.
Sipas Myrvetes nga Handikos Mitrovica, shoqëria jonë ka përmirësime dhe situata sot nuk është si dikur. Janë bërë hapa pozitivë në edukimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por qasja në shërbime dhe hapësira të caktuara mbetet ende një problematikë e pazgjidhur.
Ka edhe ligje të cilat i përkrahin personat me aftësi të kufizuara, dhe gjeneratat e reja që kanë aftësi të kufizuara e përjetojnë më ndryshe.
Një arritje e rëndësishme është përmirësimi i kushteve në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, ku është vendosur një ashensor për të lehtësuar qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Për herë të parë, këta individë, sidomos gratë, kanë mundur të ndjekin vizitat mjekësore në mënyrë të pavarur.
Një tjetër shembull suksesi është zhvendosja e Qendrës për Punë Sociale në katin e parë të ndërtesës, pas një padie të ngritur nga një anëtar i Handikos-it për mungesën e qasjes. Ky ndryshim i arritur me mbështetjen e organizatës, ka krijuar kushte më të mira për shërbimet që u ofrohen personave me aftësi të kufizuara.
Këto ndryshime mund të ndodhin edhe në objekte tjera të komunës, me pajisjen me ashensorë apo me ndryshime tjera në objekt për t’iu ofruar personave me aftësi të kufizuara qasje më të lehtë.
Nisma e vitit të kaluar, “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara: Një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit riprodhues”, ka qenë shumë funksionale dhe shumë e mirëseardhur nga gratë me aftësi të kufizuara.
Sipas Myrvete Hasanit, gratë me aftësi të kufizuara shumë rrallë kryejnë vizita gjinekologjike, nuk kanë kushte për këto vizita, e në familjet e tyre është tabu kjo temë. “Ti s’je martu”, “ti s’ke ba marrëdhënie”, “ti s’ki qa me shku”-citon ajo fjalë nga familjarët e të afërm të këtyre grave.
Përmes trajnimeve të organizuara nga Handikos Mitrovica, janë angazhuar trajnerë dhe mjekë të cilët/at kanë ofruar vizita dhe këshilla gjinekologjike për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu janë zhvilluar edhe vizita në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familajre (QKMF), për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve për marrjen e shërbimeve nga gratë me aftësi të kufizuara. Një nga arritjet kryesore ka qenë vendosja e ashensorit brenda QKMF-së dhe gratë me aftësi të kufizuara kanë filluar të shkojnë edhe vetë në vizita tashmë.
Shumë gra kanë treguar që edhe nuk janë pritë mirë nga ana e mantilbardhëve, e tani shihet që ka një ndryshim të dukshëm prej 50%, sipas Myrvetes.
“Kur gratë me aftësi të kufizuara shkojnë te mjeku, ata nuk bisedojnë me gratë, bisedojnë me atë që e ka pru, sepse sipas tyre, ajo nuk din me folë”, tregon Myrvetja, për përvojat e zakonta të grave të cilat i ndajnë me Handikosin.
Ndër të tjera ajo tregon për sjelljen jo korrekte të stafit që kanë biseduar për gjendjen e rëndë të personave me aftësi të kufizuara, me personin përcjellës, e jo direkt me ta. Kështu Handikos e sheh të nevojshme të zhvillojë trajnime me stafin e QKMF-së në të ardhmen, se si t’iu qasen personave me aftësi të kufizuara, të kenë një komunikim të duhur.
Aktivitete të ndryshme kanë kontribuuar në ndryshimin e qasjes ndaj personave me aftësi të kufizuara brenda familjeve.Në kuadër të kësaj nisme, janë zhvilluar edhe vizita të stafit mjekësor në zonat rurale për gratë dhe personat e tjerë me aftësi të kufizuara.
Kjo nismë u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej 10,000.00€, financuar nga Trusti Sigrid Rausing (SRT).