Advije Gashi ishte një juriste e diplomuar dhe njëherit edhe bashkëthemeluese e shoqatës Norma. Ajo ishte një aktiviste e madhe për të drejtat e grave, ku punën e saj të palodhshme e filloi qysh në moshën 21 vjeçare, duke punuar në institucione e organizata të ndryshme në vend.“Advushi, siç e kena thirr’ shumica e shoqeve, që nga themelimi i Shoqatës Norma është angazhuar në aktivitete të ndryshme të shoqatës. Ka qenë e gatshme në çdo kohë me përgjegjësi maksimale t’i kryejë punët dhe detyrat dhe mbi të gjitha me vullnet të madh ka kontribuar në forma të ndryshme me i ndihmu gratë në nevojë,” u shpreh Valbona Salihu, Udhëheqëse e Shoqatës Norma.
Ndërsa Sanije Grajqevci nga shoqata Aureola rrëfeu për kontributin e Znj. Advije si aktiviste: “Znj. Advije Gashi e njohim që nga viti 1996 kur në organizatën Aureola filluam të merremi më shumë me të drejtat e njeriut e në veçanti me të drejtat e grave. Në këtë fushë, ajo ishte e angazhuar në shumë takime, punëtori, seminare dhe konferenca të ndryshme për të kontribuar në ngritjen e vetëdijes së popullatës për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe për të drejtat e grave në veçanti. Ajo ishte shembull për gjithë; për mënyrën e qasjes ndaj problemeve, për mënyrën e komunikimit, bashkëpunimit, përkrahjes, ndarjes së sukseseve si dhe sakrificës për të arritur misionin që ‘Të gjithë njerëzit të jenë të barabartë, dhe t’i gëzojnë të drejtat e tyre’.”
“Nga rrëfimet për jetën e saj, për tejkalimin e të gjitha sfidave me të cilat e sprovoi jeta; ne kuptuam se ajo ishte një grua e guximshme dhe shumë e fuqishme, ishte një nënë e madhe, një mike e dashur, një profesionaliste e devotshme, një përkrahëse dhe motivuese për të gjithë e sidomos për aktivistet e reja,” shtoi Sanija.
Znj. Advije përveç se ka qenë një grua e suksesshme në karrierë, ishte edhe një mike e nënë e mrekullueshme. E mikja e saj, aktivistja dhe aktorja Safete Rogova ndau me ne një rrëfim dedikuar znj. Avdije:
“Nuk dorëzohem kollaj” ishte moto e jetës së saj. Advijen e kam njohur që nga koha e studimeve gjatë viteve 1967-8. Ajo studionte juridikun, unë në filologji. Një byfe e kishin studentët atëherë. Aty takoheshim, aty qeshnim, aty shpërthenim nga inati kur “rrëzoheshim” në provime, aty takoheshim me të dashurit. Advija vinte me Bashkim Gashin, inxhinierin e ardhshëm, dorë për dore. “Moj Advije, e di që Bashkimin e kam kushëri nga ana e nanës. Po të tradhëtoi?” “Jo moj, ma kthente me shpoti, nuk dorëzohem unë kollaj”.
Dhe vërtetë e bëri për vete Bashkimin, u martuan, lindi tre djem – tre sokola. Po lumturia e tyre nuk zgjati shumë. U sëmua Bashkimi dhe në moshën më të bukur ndërroi jetë duke lënë Advijen me tre çamarrokë të vegjël. E Advija në vend të pikëllimit e lotëve u përkushtua t’i rrisë fëmijët duke punuar edhe jashtë orarit. I rriti e i shkolloi deri sa i bëri të zotët për vete e për familje. I qeshte fytyra kur fliste për nuset, për nipat e për mbesat. Pasi na larguan nga puna, Advija dha kontributin e vet prej juristeje në të gjitha organizatat e grave. Ishte e drejtë, e sinqertë dhe kundërshtonte kur nuk shkonte diçka në rregull.
Me që e kisha shoqe, po si aktore nuk merrja vesh në ligje, e ngacmoja “dorëzoju Advije, e ke gabim”.
“Nuk dorëzohem kollaj”, ma kthente e pezmatuar.
Dhe vërtetë shpeshherë kishte të drejtë, sepse edhe në aktivitete punët nuk shkonin vaj. Po humorin e kishte në qejf… tregonte shpesh barcoleta në shqip, në turqisht e boshnjakisht.
Sëmundja ia mori gëzimin, ëndrrat që t’i shohë fëmijët si i pështillen nëpër këmbë duke e thirrur “zgjohu gjyshe, luaj me ne”.
Dhe ajo gruaja e fortë, aktivistja e palodhshme, shoqe e dashur për të gjitha më në fund u “dorëzua” qetë e pa fjalë, me sy sikur thoshin “vazhdoni, punoni edhe për mua”.
Advije Gashi ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare, me 2 gusht 2015, pas një lufte të gjatë me sëmundjen e kancerit.