Rruga që duhet të ndjekë një nxënës për të vijuar mësimet në shkollë është një sfidë në vete për fshatrat e komunës së Vushtrrisë. Mungesa e infrastrukturës dhe mungesa e objekteve shkollore në secilin fshat të kësaj komune e bën pothuajse të pamundur vijimin e rregullt të mësimit në arsimimin e obligueshëm fillor dhe të mesëm për të gjithë nxënësit.
Ndërprerja e vijueshmërisë së shkollimit vjen edhe si pasojë e mungesës së zbatimit të ligjit për transport falas për të gjithë fëmijët në arsimimin e obligueshëm të cilët duhet të udhëtojnë më shumë se 4 km për të vijuar mësimet.
“Në fshatin tonë ne kemi katër vajza të cilat kanë përfunduar klasën e nëntë me sukses të shkëlqyeshëm, por ato nuk mund të vazhdojnë shkollimin e mesëm për shkak se shkolla në të cilën duhet të vazhdojnë mësimet është shumë larg dhe familjet e tyre nuk kanë mundësi financiare për t’ua siguruar transportin,” tha një përfaqsues i fshatit.
Pikërisht për këto arsye, Qendra e Gruas “ATO” në Vushtrri, organizatë anëtare e RrGGK, me projektin e financuar nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) të RrGGK, ka avokuar tek përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë që nxënësve të fshatrave të kësaj komune t’u sigurohet transporti falas.
Përveç takimeve me kryesuesit e fshatrave kjo organizatë poashtu ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë dhe kryesuesit e fshatrave Skrom, Ropic, Samadrexhë, Ceceli dhe Sllakovc, me 3 shtator 2014 me temën “Diskutimi rreth mundësimit të transportit falas për nxënësit që udhëtojnë më shumë se 4 km për të vijuar arsimimin e obligueshëm”.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vushtrrisë.
Ai u shpreh se “Përfaqësuesit e komunës janë të vetëdijshëm për ekzistimin e ligjit dhe obligimin që ata kanë për të realizuar transportin falas, por deri më tash kjo ishte e pamundur të realizohet pasi që ka pasur shkurtime në buxhet.”
Më tutje, ai premtoi se transporti falas për nxënësit e këtyre fshatrave do të realizohet duke filluar nga muaji janar 2015.
Përfaqësueset e OJQ “ATO” u ndien më optimiste pas këtij takimi.
“Megjithatë ne nuk do të ndalim punën me kaq; ne do të vazhdojmë të avokojmë rreth përmbushjes së këtij obligimi ligjor nga Komuna e Vushtrrisë për nxënësit për shkollimin e obligueshëm fillor dhe të mesëm,” tha Fikrije Ferizi, drejtore ekzekutive e organizatës.
Kjo inciativë është përkrahur nga raudi i gjashtë i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) i cili mbështetet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Kvinna till Kvinna (KtK).