OJQ Jeta avokon kundër dhunës me baza gjinore

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, OJQ Jeta, përgjatë gjashtë muajve ka realizuar projektin “Fuqizimi i grave dhe të rinjve për parandalimin e dhunës në baza gjinore në përputhje me Konventën e Stambollit,” falë mbështetjes së Fondit të Grave të Kosovës (FGK) përmes raundit të 15-të.

Përmes fushatës “Dil në shesh dhe ti” kjo organizatë ka ngritur vetëdijen e mbi 500 qytetarëve të Deçanit kundër dhunës me bazë gjinore dhe vrasjes së grave, sidomos pas marshit të organizuar për herë të parë në një komunë të vogël siç është kjo e Deçanit.

Në këtë drejtim, projekti ka kontribuar në arritjen e objektives përmirësimi i vetëdijesimit dhe vëmendjes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, përdhunimin dhe ngacmimin seksual. 

Gjithashtu gjatë zbatimit të projektit është ngritur vetëdija e 245 vajzave dhe djemve për mbrojtjen, parandalimin dhe raportimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe mësuesve dhe drejtorëve të shkollave. Përfituesit e projektit janë njoftuar për herë të parë se çfarë është Konventa e Stambolli, çka parasheh rreth parandalimit, mbrojtjes dhe ndjekjes penale.  

Përmes kësaj nisme është synuar të kultivohet një mënyrë tjetër e të menduarit sidomos tek moshat e reja, sepse deri më tash dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave është perceptuar si sjellje normale në shumicën e familjeve në Komunën e Deçanit.

Gjithashtu OJQ Jeta ka organizuar ligjërata të rregullta për vajza dhe djem të mbajtura në ambientet e shkollave të mesme dhe fillore në fshatrat e Komunës së Deçanit.

Kjo nismë e organizatës “OJQ Jeta” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.