Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, OJQ Jeta, më 18 nëntor në Gllogjan të Deçanit, ka mbajtur ligjeratën e radhës me nxënësit e shkollës “Heronjtë e Dukagjinit”, me ç’rast të rinjtë diskutuan për dhunën me bazë gjinore dhe mënyrat për ta luftuar atë.
Gjatë kësaj ligjërate, ata u informuan më shumë për identifikimin e formave të dhunës psikologjike, fizike, seksuale dhe ekonomike. Po ashtu, nxënësit diskutuan edhe për ngacmimet seksuale dhe ligjet të cilat ndëshkojnë atë dhe dhunën me bazë gjinore.
Fatjona Karakushi, psikologe dhe trajnere potencoi se ligjërimi i këtyre tema me nxënësit e shkollës fillore është shumë i rëndësishëm.
“Kjo është një temë shumë e ndjeshme, njëkohësisht edhe e vështirë të pranohet. Nxënësit me anë të ligjëratave mund të vetdijesohen që të mos e pranojnë dhunën, të reagojnë, të mbrojnë veten, të informohen për institucionet që u dalin në ndihmë dhe të mund të ndihmojnë dikë tjetër që përjeton dhunë”, tha ajo.
Kurse, Lumnije Lusha , Drejtore e kësaj shkolle, tha se këso ligjerata janë të nevojshme të mbahen në çdo shkollë.
“Sa më shumë të kemi njohuri dhe reflektim të situatave do të përmirësohet të paktën raportimi i dhunës me bazë gjinore në institucionet përkatëse. Tema të tilla duhet të fliten vazhdimisht dhe patjetër duhet të diskutohen edhe me nxënësit në shkolla fillore. Në moshë të re, të gjithë duhet të njihen me format e dhunës me bazë gjinore”, shtoi ajo.
Për më tepër, nxënësit ishin tejet të interesuar për dhunën psikologjike, format e saj, dhe si mund të adresohet dhe të ndalohet ajo. Ata shtruan pyetje edhe për bullizmin në shkolla, si një nga format e dhunës psikologjike më të shpeshta për këtë moshë.
Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të mësojnë se si të menaxhojnë situata të tilla dhe mbi të gjitha të mund t’i parandalojnë ato.
Ligjërata të tilla do të mbahet edhe në 10 shkolla të tjera fillore në fshatrat e Komunës së Deçanit, falë mbështetjes që nisma “Fuqizimi i grave dhe të rinjve për parandalimin e dhunës me baza gjinore në përputhje me Konventën e Stambollit”, mori nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkë-financim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.