Sot, më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Njeriut, qytetarë dhe aktivistë të shumtë u bashkuan në protestë për të kërkuar përgjegjësi institucionale në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë/a pa dallim.
Protesta e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve si dhe Handikos, filloi në Sheshin “Zahir Pajaziti’ në Prishtinë duke vazhduar me marsh deri tek objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Gjatë tërë vitit, kemi protestuar edhe kemi kërkuar llogaridhënie për gratë e vrara, te dhunuara, te ngacmuara, e të abuzuara. E kemi ngritë zërin, për neglizhencën institucionale dhe sistemin rrënjësisht patriarkal, dëshmi për të cilën na u bë edhe rasti i fundit, i aktgjykimit seksist të një trupi gjykues”, ka thënë ndër të tjerash Valmira Rashiti, Koordinatore e Projektit/Asistente Ligjore, RrGK.
Tutje Rashiti lexoi kërkesat e protestës, të cilat janë si në vijim:
1. Dhuna në baza gjinore të trajtohet si urgjencë kombëtare;
2. Të monitorohen, sanksionohen apo shkarkohen gjykatësit, prokurorët, policët të cilët janë
fajtorë për neglizhencën ndaj dhunës sistematike që po ushtrohet ndaj grave;
3. Të mos lirohen dhunuesit me procedurë të rregullt, dhe të mos u ri-shqyrtohen dënimet, kur
krimet e tyre përmbajnë të gjitha rrethanat rënduese, por të dënohen në përputhje me Kodin
Penal të Kosovës.
“Është koha që të institucionalizohet mbrojtja e jetës së grave, dhe të kërkohet llogari
institucionale për to. Drejtësi dhe siguri për gratë!” shtoi ajo.
Ndër të tjerash, u kërkua që diskriminimi institucional dhe sistematik ndaj personave me aftësi të kufizuara, komuniteteve rom, ashkali, egjiptian e serb, si dhe sulmet e gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI të trajtohen me urgjencë nga institucionet në Kosovë.
RrGK bashkë me organizatat e lartpërmendura të shoqërisë civile do të vazhdojnë të përcjellin me vëmendje punën e të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe do të kërkojnë llogaridhënie për veprimet e mos-veprimet të cilat cenojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës.
LEXO EDHE: “Gruaja Hyjnore” shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut