OJQ Ura Sociale ngrit vetëdijen e nxënësve për parandalimin e ngacmimeve seksuale

Organizata anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Grave Ura Sociale, përmes projektit “Ngritja e vetëdijes për parandalimin e ngacmimeve seksuale ”përgjatë gjashtë muajve të zbatimit të tij, ka arritur që të mbajë ligjërata nëpër shkolla duke ngritur vetëdijen e nxënësve për këtë dukuri.

Përfitues direkt të nismës së mbështetur nga Raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) kanë qenë 147 persona. Ndërsa përmes fushatës në rrjete sociale 30.000 qytetarë të Komunës së Vushtrrisë janë informuar lidhur me ngacmimet seksuale, dhunën me bazë gjinore dhe mekanizmat se ku duhet të raportohen këto raste. 

Përveç nxënësve, OJQ ka mbajtur takime edhe me nëntë pjesëtarë të stafit drejtues të shkollave tri shkollave në Vushtrri për rritjen e vetëdijes për ngacmimet seksuale dhe parandalimin e tyre.

Gjithashtu ne takimin me drejtuesit, mësimdhënësit dhe psikologët e tri shkollave SHMP “Bahri Haxha”, SHMT “Lutfi Musiqi”, Gjimnazi “Eqrem Çabej”, është diskutuar për rëndësinë e përfshirjes së lëndës së edukimit seksual në shkolla.

Përgjatë pesë ligjëratave aq sa janë mbajtur gjatë zbatimit të këtij projekti, për nxënësit e klasave të dhjeta, ata kanë treguar interesim të madh gjatë gjithë kohës duke treguar histori reale nga jeta e tyre por duke bërë edhe pyetje e diskutime me psikologen e cila ka qenë ligjëruese e kësaj teme.

Ata në fund të secilës ligjëratë por edhe në pyetësorët anonim të cilët i kanë plotësuar kanë treguar se sa informuese kanë qenë këto ligjërata për ta, por edhe për nevojën e dëshirën që lënda e edukimit seksual të jetë në planprogramin e çdo shkolle.

Kjo nismë e organizatës “Ura Sociale” është mbështetur nga Agjencia Austriake

për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.