Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Okarina e Runikut ka përfunduar me sukses nismën “Fuqizimi i Gruas në Politikë dhe Vendimmarrje”, përkrahur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Ky projekt është ideuar për të përkrahur gratë dhe vajzat që janë të gatshme për t’u sfiduar dhe për të luajtur rol më të rëndësishëm në krijimin e mundësive të barabarta dhe fuqizimin e vetë tyre për të qenë udhëheqëse në jetën politike.
Kjo organizatë përgjatë realizimit të projektit ka punuar me 146 persona të cilët kanë përfituar drejtpërdrejt, përfshirë zyrtaret për barazi gjinore, zyrtaret komunale, asambleistet, përfaqësuese të OJQ-ve, gratë nga viset rurale e gra të komuniteteve të ndryshme.
Përmes projektit është arritur përkrahja nga zyrtarët për barazi gjinore për të adresuar çështjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Është ngritur vetëdija e të gjitha grave asambleiste për tu konsultuar gratë rreth nevojave të tyre.
Gjithashtu u ngritën kapacitet e të gjitha grave asambeliste, zyrtaret për barazi gjinore dhe vajza e gra aktiviste për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
Është inicuar bashkëpunimi në mes të 20 përfaqësueseve të OJQ-ve, grave asambleiste si dhe zyrtareve për barazi gjinore.
Janë dërguar rekomandimet në Kuvende Komunale, me ç’rast Komuna e Mitrovicës në mars të këtij viti ka dërguar në Kuvend tri prej rekomandimeve të kësaj organizate të cilat janë votuar unanimisht.
Luljeta Peci koordinatore e projektit tha se shpresojmë që ky projekt ka arritur të ngritë zërin dhe të avokojë edhe më gjerë, në përmirësimin e institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë, si dhe në rritje të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje në komunën e Skenderajt, Mitrovicës dhe Vushtrrisë’’.
Projekti ka zgjatur nga shtatori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.
Realizimi i kësaj nisme u bë i mundur falë përkrahjes së marrë nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.