OPDMK mban punëtorinë “Avokimi dhe lobimi për të drejtat e grave me aftësi të kufizuara”

Pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, organizata anëtare e Rrjetit të Gravë të Kosovës (RrGK), Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), më 15 maj në Prizren ka mbajtur punëtorinë një-ditore “Avokimi dhe lobimi për të drejtat e grave me aftësi të kufizuara”.  

Kjo punëtori u mbështet nga Koordinatoret e Projektit në RrGK, Valmira Rashiti, dhe Majlinda Behrami, të cilat bashkëbiseduan me të pranishmet për mënyrat e avokimit për të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, mekanizmat të cilët mund të shfrytëzohen si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të tyre në jetën publike.  

Drejtorja Ekzekutive e OPDMK-së, Antigona Shestan ka folur për rëndësinë që ka ky trajnim për gratë dhe vajzat dhe aftësi të kufizuara.  

“Kjo punëtori ka efekt shumë pozitiv në motivimin e përfaqësueseve tona në Grupin e Grave me Aftësi të Kufizuara. Ajo çka do të doja të veçoja është entuziazmi që rrezatonte nga secila vajzë me propozimet e tyre se si të shtyjmë institucionet të bashkëpunojnë me komunitetin tonë dhe që të gjithë të kemi dobi”, thotë ajo. 

Sipas Shestan, vetëm kështu mund të ndërojmë shoqëri me të drejta të barabarta për të gjithë.  

Kurse, Resmije Rrahmani, Mobilizuese në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, thotë se trajnimet si ky janë esenciale për t’u mundësuar këtyre grave dhe vajzave që të marrin vendin e merituar në jetën publike. 

“Për ne, të ndjekim punëtori si kjo është shumë domethënëse dhe e mirëpritur nga të gjitha vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara. Uroj që edhe në të ardhmen të kemi sa më shumë punëtori të tilla edhe nga organizata të tjera që në fokus të punës kanë gratë me aftësi të kufizuara”, ka thënë Rrahmani teksa ka shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë nga stafi i RrGK-së gjatë kësaj punëtorie. 

Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë. 

Më shumë lidhur me këtë nismë mund të lexoni KËTU