Organizatat e Grave i shkruajnë Kryeministrit për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë

 Me 13 prill, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, Medica Kosova, Medica Gjakova dhe Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, i dërguan letër Kryeministrit të Kosovës z. Isa Mustafa duke kërkuar që të themelohet Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.
     Ato përmes letrës kërkuan që institucionet vendim-marrëse të marrin vendimin që të funksionalizohet komisioni dhe të fillohet me pranimin e aplikacioneve për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, duke pas parasysh që ishin emëruar të gjithë anëtarët e Komisionit dhe ishin autorizuar organizatat joqeveritare që do ta mbështesin procesin e verifikimit. 
     Ndër të tjera në letër thuhej se: “krijimi i këtij mekanizmi shtetëror paraqet një parakusht për njohjen e vuajtjeve të viktimave të dhunës seksuale gjate luftës dhe mundëson realizimin e beneficioneve të garantuara me Ligjin nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, sikurse kategoritë e tjera të dala nga lufta. 
     Prandaj në emër të mbijetuarve të dhunës seksuale, kërkojmë nga ju që të ndërmerrni veprime sa më të shpejta për fillimin e procesit ligjor për dokumentimin e dhunës seksuale gjatë luftës, si obligim shtetëror për të garantuar rehabilitimin, reparacionin dhe drejtësinë për viktimat e dhunës seksuale”.
     S
i rezultat, me 28 prill, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Me themelimin e këtij komisioni zyrtarisht fillon edhe mbështetja institucionale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.