Nga jashtë, dhuna ndaj grave mund të duket si një problem që prek të gjitha në mënyrë të barabartë. Por, në realitet disa gra janë dyfish të diskriminuara, edhe nga gjinia e pastaj edhe nga aftësitë ndryshe që i kanë. Në heshtje, në qoshe të sistemit dhe shoqërisë, gratë dhe vajzat e verbëra në Kosovë jetojnë një realitet të dyfishtë, të përjashtuara, të padukshme dhe shpesh të pashpresa për mbrojtje.
Pikërisht këtë realitet është duke e sfiduar Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK), përmes një iniciative të guximshme e të ndjeshme që synon të ndërtojë ura drejt dijes, vetëdijes dhe sigurisë për gratë dhe vajzat e verbëra që jetojnë në Kosovë.
Për iniciativën e KGVK-së iu kemi treguar edhe më parë, përmes storjes Fuqizimi përmes Edukimit: Komiteti i Grave të Verbëra dhe Përpjekja për Mbështetje ndërsa tani duam të tregojmë për arritjet e saj.
Duke marrë parasysh sfidat e përditshme të këtij komuniteti, KGVK ka planifkuar një program i cili synon lehtësimin e jetesës së grave dhe vajzave të verbëra, vetëdijesimin e institucioneve dhe përmirësimin e ndërgjegjësimit të shoqërisë.
“Objektivi jonë është i qartë: të mbrojmë dhe parandalojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave të verbëra, të cilat diskriminohen dyfish; e para për shkak të gjinisë, e dyta për shkak të aftësisë së kufizuar”, thotë Korab Jetullahu, përfaqësues i KGVK-së.
Projekti ka nisur si rrjedhojë e shumë tregimeve të dëgjuara përgjatë viteve nga gra që përballeshin me forma të ndryshme të dhunës, pa pasur as mbështetje institucionale e as qasje në informacione bazike.
“Tu e marrë parasysh që personat e verbër kanë qasje të limitume në informacion, për shkak të materialeve të pakta në alfabet të Brajlit apo në audio, dhe në anën tjetër nuk kanë qasje në teknologji, e kemi pa të arsyeshme që me i zhvillu takimet direkt me këta persona”, tregon tutje ai.
Në kuadër të projektit, KGVK ka angazhuar një psikologe dhe një sociologe për të realizuar trajnime në katër rajone të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Suharekë dhe Gjakovë. Në secilin qytet janë mbajtur nga tri trajnime, me pjesëmarrjen e rreth 45 grave dhe vajzave të verbëra për secilin qytet.
Tema e parë dhe më e ndjeshme që është trajtuar në këto trajnime ka qenë dhuna, çka është, si manifestohet dhe si mund të mbrohen gratë dhe vajzat e verbëra nga dhuna.
“Shumë gra nuk kanë njohuri për dhunën, nuk i dinë format e saj, nuk e dinë kush janë zakonisht dhunuesit, çka është dhuna psikologjike, ekonomike. Për këtë arsye kemi nisë prej hapave bazë”, shpjegon Jetullahu.
Në trajnime janë diskutuar edhe kornizat ligjore dhe mekanizmat institucionalë të mbrojtjes, edhe pse, siç theksoi Jetullahu, sistemi në praktikë vazhdon të jetë thuajse i mbyllur për gratë me aftësi të kufizuara. Në Kosovë, ende nuk ekziston një qendër strehimore që ka staf të trajnuar për të punuar me persona të verbër, kështu që KGVK-ja ka synuar t’u tregojë këtyre pjesëmarrësve për mekanizmat mbrojtës dhe vendet ku mund të kërkojnë ndihmë.
“Përveç që po të kallxoj çka është dhuna, po të kallxoj edhe ku ki me u mbrojtë”, thotë ai.
“Dhuna zakonisht nisë në familje” nisë spjegimin ai.
“Mundet me ndodhë edhe në rrugë, por ajo sistematikja, ajo që të gërryen prej përbrenda, zakonisht ndodhë në shtëpi. E ai njeri që ta bën, shpesh është edhe ai që të shoqëron – s’mundesh me i thanë ‘më ço në polici’, apo ‘më ço në strehimore’. Je i varun prej tij”, tregon ai me dhembje.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, projekti ka dhënë shenja konkrete ndryshimi. Një nga pjesëmarrëset, një grua e verbër që ka përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike për vite me radhë, ka gjetur guximin për të rrëfyer historinë e saj për një medium suedez që bashkëpunon me Shoqatën Nacionale të të Verbërve të Suedisë, partnere e KGVK-së. Rrëfimi u publikua me ruajtjen e plotë të identitetit të saj.
Ajo kishte mbetur vetëm me vajzën e saj të vogël, e përjashtuar nga familja e burrit pas dhunës që kishte përjetuar. Jetonte vetëm me 250 euro në muaj, që është përkrahje bazë për personat e verbër të kategorisë së parë. Guximi i saj për të folur nuk është vetëm një rrëfim personal; është një akt politik, një mesazh për të gjitha gratë që mendojnë se nuk kanë zë.
Iniciativa e KGVK-së ka treguar sukses, edhe përmes storjeve të pjesëmarrësve, organizata synon të vazhdojë me këtë ide dhe qasje edhe në zona të tjera të Kosovës, pasi që me pjesëmarrjen e vetëm disa pjesëmarrësve, prapë mbetet një numër i madh i vajzave e grave të verbëra që duhet të informohen në lidhje me dhunën dhe mbrojtjen nga ajo.
Puna e KGVK-së në vazhdimësi qëndron në linja me punën dhe Strategjinë e Rrjetit të Grave të Kosovës.