Komiteti i Parlamentit Evropian për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore (FEMM) dhe Nënkomiteti për të Drejtat e Njeriut (DROI) kanë kërkuar nga Nicole Farnsworth, Udhëheqëse e Hulumtimeve në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) që të flasë në "shkëmbimin e përbashkët të pikëpamjeve mbi dhunën ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi", që është mbajtur me 8 qershor 2017, në Bruksel.
Siç e dimë, ekzistojnë disa çështje që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave. Prandaj, pas konsultimeve me aktivistë të të drejtave të grave në të gjithë Europën Juglindore, ajo foli për katër çështje kryesore:
- Reagimi i dobët institucional kundrejt dhunës ndaj grave në shumicën e vendeve, përfshirë këtu edhe "fajësimin e viktimës"; adresimi i pamjaftueshëm i rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale; dështimi për të ndjekur penalisht disa krimeve ex officio; dënimet e ulëta; dhe menaxhimi i dobët ndër-institucional i rasteve.
- Zvogëlimi i hapësirës dhe i fondeve për organizatat për të drejtat e grave në rajon, që pengon aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore, për të monitoruar institucionet dhe për të ndërmarrë avokim lidhur me dhunën ndaj grave.
- Nënvlerësimi i të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues, siç janë kufizimet për abortin të imponuara kohët e fundit në disa vende; çasja e pamjaftueshme në arsim, këshillim, dhe kujdes shëndetësor riprodhues të përballueshëm, duke përfshirë kontracepsionin, veçanërisht për grupet e margjinalizuara si romët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat LGBTQI. Ajo gjithashtu do të përmendë vazhdimin e përzgjedhjes së gjinisë në disa vende, përfshirë Kosovën, ku fetuset femra vazhdojnë të abortohen për shkak të preferencave sociale për të pasur fëmijë meshkuj.
- Drejtësia dhe dëmshpërblimet për dhunën seksuale të kryer gjatë luftës. Ajo do të kërkojë mbështetjen e BE-së në shtyrjen e shteteve për të njohur krimet e kryera dhe për të paguar dëmshpërblim ndaj viktimave.