Partners Kosova përmes nismës “Gratë e bëjnë Ndryshimin”, kanë arritur që të trajnojnë 25 gra dhe vajza asambleiste në komunën e Fushë Kosovës dhe Dragashit. Trajnimet u mundësuan pjesëmarrësve shkëmbimin e përvojave dhe ideve të tyre për eliminimin e pengesave që hasin gratë në vendimmarrje, politikë dhe në paraqitjet e tyre publike.
Drejtorja Ekzekutive, Shukrije Gashi, në njërin nga takimet përgjatë projektit falënderoi pjesëmarrëset për interesimin dhe RrGK-në për përkrahjen.
“Partners Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekje të rritjes së ndërgjegjësimit në fushën e barazisë gjinore dhe të të drejtave të grave, por ende ka shumë për t’u bërë, si nga shoqëria civile ashtu dhe nga institucionet e tjera vendore,” u shpreh ajo.
Përmes takimeve të përbashkëta përgjatë projektit gra asambliste nga dy komunat, kanë arritur të realizojnë shkëmbimin e përvojave të tyre, dhe është arritur të përmirësohet situata sa i përket përfaqësimit të tyre në publik, në politikë dhe në vendimmarrje.
Gjithashtu gratë janë trajnuar për t’u njohur me aftesitë e të folurit në publik, komunikimin efektiv dhe mendimin kritik.
Kjo organizatë përmes rrjetit social Facebook ka arritur të bëj promovimin e punës së grave dhe vajzave asambleiste, si dhe të shpërfaq rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme për fuqizimin e tyre për barazi gjinore dhe vendimmarrje.
Ky projekt ka zgjatur nga shtatori i vitit 2021 deri në mars 2022. Aktivitetet e kësaj nisme financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës.
