Femrat dhe meshkujt diskutojnë për temën “Të drejtat e grave në ndarjen e pasurisë dhe të drejtat e trashëgimit” në prezantimin e organizuar nga Partners Kosova më datën 28 maj në Lipjan.

Partners Kosova avokon për të drejtat e grave në pronë

Partners Kosova (PK) ka ftuar jo vetëm gra, por edhe burra në prezantimin e saj njëditor me temë “Të drejtat e Grave në ndarjen e pronës dhe në trashëgimi” në komunën e Lipjanit më 28 maj. Në këtë prezantim ka marrë pjesë gjithashtu edhe Zyrtari Komunal për Barazinë Gjinore.
“Ndërsa avokojmë për këtë temë, do të duhet të punojmë për ta rritur vetëdijesimin në mesin e të dyja gjinive dhe në mesin e njerëzve të moshave dhe mjediseve të ndryshme shoqërore,” ka thënë Hilmije Ramabaja, Menaxhere e Programit për Trajnimin, Ndërmjetëse dhe Trajnuese pranë PK-së. “Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të mbërrijmë tek sa më shumë njerëz që të jetë e mundur dhe ta ndryshojmë mendësinë patriarkale, e cila ua mohon grave këtë të drejtë themelore.”

PK-ja planifikon të organizojë prezantime të ngjashme në tri komuna të tjera: Skenderaj, Drenas dhe Ferizaj. Më pas, grupet do të avokojnë më tej për këtë temë gjatë një mbledhje të dytë në secilën komunë, ku përfaqësuesit e institucioneve dhe palët e tjera të interesuara do ta diskutojnë çështjen.
“Më ka pëlqyer shumë kjo ide dhe do të sugjeroj që diskutimi për këtë temë të zgjerohet sa më shumë që të jetë e mundur, me qëllim që të ketë harmoni midis kornizës aktuale ligjore dhe aspektit praktik,” ka thënë Gafurr Ademi, Zyrtar për Çështjet Ligjore dhe Pronë në zyrën e kryetarit të komunës. “Në rrethanat ku ndodhet shoqëria jonë, është shumë e rëndësishme që edhe burrat të jenë të pranishëm kur diskutohen tema të tilla me qëllim që të rritet vetëdijesimi.”
Kjo nismë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së, i financuar nga Kvinna till Kvinna (KtK).