“Nuk kam ku me shku mas këtuhit” – nis rrëfimin R.S. e cila është e strehuar në një prej strehimoreve të Kosovës për shkak të dhunës sistematike fizike dhe psiqike nga burri i saj përgjatë 30 viteve martesë. Përballë shifrave të lartë të grave që janë viktima të dhunës në familje, Kosova ka vetëm tetë strehimore dhe asnjë organizatë të specializuar që i trajton ato pas daljes nga strehimoret.
Për t’i ikur dhunës nga bashkëshorti i saj, nëna e tetë fëmijëve, R.S. u detyrua të strehohet në një strehimore.
“Hatri i fëmijëve kam duru e skam mujt me dalë e më i lanë fëmijët. Duro, duro dikur u lodha, e pashë që mu lodhë shpirti edhe nuk mujsha me jetu. E martova edhe djalin ia nisi me pas probleme edhe me nusen e djalit, tu më rreh nërsy nuses” – rrëfen ajo.
Por, paqen nuk e gjen as brenda mureve që atë e bëjnë të ndjehet e sigurt.
“Për një njeri që ka përjetu dhunë për aq shumë vjet, si unë, e bashkë me mu edhe fëmijtë e mi, është vështirë me mendu që jeta jashtë ka me u ndryshu për të mirë. Kam punu, s’më ka lanë rahat as në puneë, po tash qysh me u kthy me punu, ku me shku, qysh me rrnu” – thotë ajo.
Kjo dilemë shoqëron çdo ditë në strehimore edhe qindra gratë të tjera të cilat në strehimore gjejnë strehë por jo edhe shpresë për jetën pas saj.
Vetëm vitin e kaluar mbi 2200 gra ishin viktima të dhunës në familje. Disa nga viktimat, për shkak të pamundësisë për të vazhduar bashkëjetesën me dhunuesit, jetën e tyre e zhvendosin në qendrat strehimore. Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica e Novobërda janë tetë qytete të Kosovës ku funksionojnë qendra të tilla që vazhdimisht pranojnë viktima e përkujdesen për to.
Por pas daljes nga strehimorja nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thonë se është shumë e nevojshme të vazhdojë trajtimi i tyre.
Sipas Adelina Berishës nga RRGK, varësisht prej rasteve, ka gra që nevojitet t’iu vazhdohet trajtimi, për t’u stabilizuar emocionalisht dhe me i tejkalu të gjitha traumat që ka përjetuar.
“Në përgjithësi faza rehabilituese dhe riintegrimit është faza më e ndjeshme dhe më së keqti që është punuar në sistemin e Kosovës sa i përket trajtimit të dhunës në baza gjinore. Përveç punës që bëjnë strehimoret, që kanë për detyrë edhe ato të merren me i fuqizu gratë sa janë në strehimore që kur dalin me qenë më të pavarura ka shumë pak organizata tjera që munden me i ndihmu në fazën e integrimit dhe riintegrimit” – ka thënë Berisha.
Ajo për KALLXO.com ka përmendur sfidat të cilat viktimat mund t’i kenë pas daljes nga strehimorja.
“Gratë për shkak të atyre vështirësive që i hasin pas qëndrimit në strehimore, shpesh janë detyruar me u kthy tek familja ku ka përjetu dhunë, ose janë detyru me hjekë dorë prej fëmijëve të vetë dhe me u kthy tek shtëpia e prindërve të cilët kanë refuzuar me i marrë fëmijët e dhëndërrit duke i konsideru që nuk janë të linjës së gjakut për shkak të kësaj mendësie patriarkale vazhdon me qenë shumë sfiduese” – ka thënë ajo.
“Është shumë e nevojshme të ketë trajtim pas daljes nga strehimoret por varet prej rastit, ka raste që prej momentit që e përjetojnë dhunën dhe e raportojnë dalin prej qasaj marrëdhënie, për to është një rifillim i jetës edhe ato e marrin jetën në dorë, ndjehen të guximshme dhe vazhdojnë tutje” – shton ajo.
Berisha thekson se një OJQ mundet me qenë aty si këshilluese për një grua, por sipas saj, shteti do të duhej të mendoj për mekanizmat e këtyre grave që t’u lehetësohet jeta pasi dalin prej strehimores.
“Mirëpo ka gra që nevojitet fillimisht me punu me to, me u stabilizu emocionalisht dhe me i tejkalu të gjitha traumat që ka përjetu. Krejt varet prej nevojave të grave mirëpo përveç që është e nevojshme ajo është edhe kërkesë ligjore prej Konventës së Stambollit që secili shtet duhet me kriju mekanizma për këtë fazën e fundit të rehabilitimit dhe riintegrimit të secilës viktimë të dhunës me bazë gjinore, kjo nevojë është e faktuar edhe në bazë të kornizës ligjore edhe studimeve tjera që është terësisht shumë e rendësishme që të punohet pasi ato të raportojnë dhunën” – ka thënë Berisha.
Roli i Qendrave për Punë Sociale dhe Strehimoreve
Çdo komunë ka nji Qendër për Punë Sociale. QPS mes tjerash ofron shërbime ndaj personave që kanë përjetu dhunë në familje dhe shërbime sociale si mbrojtja, rehabilitimi dhe integrimi i viktimave në shoqëri.
Kumrije Bytyqi, drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Prizren ka thënë për KALLXO.com se në nivel lokal nuk kanë OJQ të specializuar për trajtimin e viktimave pas daljes nga strehimoret, por ngrit edhe mungesën e OJQ-ve për trajtimin e rasteve dhe programeve të atyre që abuzojnë me viktimat.
Bytyqi thotë se varësisht nga rasti pas daljes nga strehimorja menaxheri i rastit ofron sesione këshilluese individuale, familjare, mbikëqyrje të rastit sipas nevojave të viktimës.
“… bashkëpunon me shkolla, referon rastin në asistenca sociale, për banim social, aftësime profesionale, shëndetësi si dhe shërbime tjera varësisht nga nevojat e rastit dhe familjes. Nëse gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit psiko-social të kryerësit të dhunës në familje QPS i përmbahet kërkesës se gjykatës e mbikëqyr rastin dhe raporton në bazë të vendimit të gjykatës” – është shprehur ajo.
Në anën tjetër, Kosova ka vetëm tetë strehimore, në: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Novobërdë, Pejë, Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicën Jugore. Strehimoret ofrojnë shërbime strehimi për gratë dhe fëmijët që kanë përjetu dhunë në familje.
Referimi për strehimore zakonisht bëhet nga QPS-ja, por mund të bëhet edhe nga policia apo institucionet tjera, me kërkesë të viktimës; edhe personat që kanë përjetuar dhunë mund të vetë-referohen.
Këto strehimore funksionojnë në kuadër të Organizatave Joqeveritare vendore.
Ato u ofrojnë viktimave një vend të përkohshëm e të sigurtë për të jetu në rast se rrezikohen nga dhuna në familje. Gjithashtu për detyrë e kanë t’i ndihmojnë viktimat gjatë procesit të rimarrjes së vetes nga dhuna në familje duke përfshirë kujdesin psikologjik, fizik, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri. Shumica e strehimoreve ofrojnë edhe ndihmë juridike. Të gjitha shërbimet në strehimore ofrohen falas.
Mesatarisht, strehimoret mund të strehojnë 15 persona (bashkë me fëmijët), por shumica ofrojnë edhe shtretër shtesë për situata emergjente.
Kohëzgjatja maksimale e qëndrimit është gjashtë muaj; megjithatë, nëse vlerësimi i sigurisë nuk është i kënaqshëm, si dhe viktima nuk ka vend tjetër ku të shkojë, ato mund të transferohen në strehimore tjetër, ose të mbeten në strehimoren e njëjtë edhe përtej periudhës gjashtëmujore në bazë të marrëveshjes paraprake me MPMS-në.
Ardita Bala, drejtoreshë e strehimores “Qendra për Mirëqenien e Gruas” në Pejë, rrëfen për KALLXO.com se ka gra që kanë nevoja të ndryshme dhe se është i domosdoshëm trajtimi i tyre edhe pas daljes nga strehimorja.
“Është e rëndsishme trajtimi i tyre varësisht prej rastit. Për shembull nuk i lëshojmë prej strehimores pa vullnetin e saj dhe pa riintegrimin e saj në shoqëri. Ka raste të cilat psh pas 6-7 muaj, kanë deshtë me punu, por i vynë urdhëri mbrojtjës për me vazhdu, përkrahja i duhet gjithë kohën. Psh ne kemi raste të cilat i përkrahim me ndihma të ndryshme, nëse ka nevojë për seanca psikologjike, për këshilla shëndetësore, për ndihmë juridike falas, pra është e nevojshme vazhdimi i përkrahjes të grave në çdo aspekt” – tha ajo.
Nevoja për t’u trajtuar
Sipas psikologes Mimoza Shahini, është shumë i domosdoshëm trajtimi pas daljes nga strehimorja, pasi sipas saj, shumë viktima të cilat nuk janë ndihmuar pas daljes nga strehimorja kanë hyrë përsëri në ciklin e dhunës për shkak të pamundësisë për t`u integruar në mjedisin social, për shumë arsye, shumë prej tyre rikthehen në mjedisin abuziv dhe ripërjetonjë një dhunë të re.
Psikologia thotë se përjetimet traumatike kanë efekte për një kohë të gjatë dhe pas daljes është e domosdoshme mbështetja psikologjike.
“Dhuna nuk është një veprim por një fenomen kompleks i cili krijon dëmtime të sferave të ndryshme që dekujlibrojnë integritetin fizik, emocional, social dhe ekonomik të personit të ballafaquar me të. Është me rëndësi që shpjegimi i këtyre ndikimeve të ketë në konsideratë moshën, gjininë, kulturën, statusin socio -ekonomik të viktimës” – ka thënë psikologia Shahini.
Ajo thotë se viktimat mund të përjetojnë stres post-traumatik (PTSD), depresionin, ankthin kronik, sulmet e panikut, ndjesi të pashpresës, vështirësi në kontrollimin e emocioneve, humbjen e vetëbesimit dhe ndjenjat e fajësisë.
Sipas saj, këto pasoja psikologjike mund të ndikojnë në cilësinë e jetës dhe ndihmojnë në krijuar vështirësi të mëtejshme në funksionimin e mëtejshëm.
“Ato mund të përballen me humbjen e vendeve të punës, humbje të pozicionit të tyre në familje, vështirësi financiare, dhe dëmtime materiale. Këto pasoja ekonomike mund të krijojnë vështirësi në përmbushjen e nevojave themelore dhe të rrisin varfërinë dhe pabarazinë”- shtoi Shahini.
Ajo thekson se trajtimi i viktimave të dhunës është një proces i gjatë dhe kompleks që duhet të përfshijë kujdes, përkujdesje dhe angazhim të ndërsjellë nga profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale si dhe institucionet e drejtësisë.
“Përmes angazhimit të të gjithë akterëve të përfshirë në trajtimin e të mbijetuarëve të dhunës duhet t`iu krijohet një mjedis i sigurtë me qëllim që të krijojnë ndjenjën e sigurisë. Kujdesi mjekësor është i nevojshëm në rastet e dëmtimeve fizike apo edhe problemeve shëndetsore që mund të kenë viktimat”.
“Këshillimi dhe ndihma psikologjike shërben për të të adresuar pasoja psikologjike të dhunës. Këshillimi individual, terapia grupore dhe strategjitë e menaxhimit të stresit mund të jenë pjesë e trajtimit për të ndihmuar viktimat. Në kuadër të mbështetjes së viktimave është e nevojshme që të sigurohet edhe ndihmë juridike. Ndërkohë reabilitimi dhe përgatitja për të ardhmen shërbejnë për t`i rimëkëmbur dhe integruar në shoqëri” – theksoi ajo.
Psikologia thotë se kohëzgjatja e trajtimit është individuale dhe ndikohet nga dinamikat e harmonizimit të akterëve të përfshirë në rehabilitim, por në përgjithësi lidhet me tre faza; intervenimi në krizë; intervenimi ne strehimore dhe intervenime pas daljes nga strehimorja.
Gjithashtu shumë viktima, shton ajo, kanë mungesë të burimeve mbështetëse të cilat mund të ndikojnë në pamundësinë e viktimave për të ndërtuar një jetë të re.
“Mbështetja e vazhdueshme mund të ndihmojë viktimat e dhunës të rindërtojnë vetëvlerësimin dhe të fitojnë ndjenjën e fuqizimit. Ajo u ofron atyre mjetet dhe burimet për të zhvilluar vetëbesim dhe për të marrë vendime të pavarura duke siguruar integrimin në komunitetin e tyre dhe të tejkalojnë izolimin social”- ka thënë Shahini.
“Unë nuk jam e sigurtë për numrin e përgjithshëm të organizatave që merren me trajtimin e tyre, por mendoj që nuk janë të mjaftueshme për të ndikuar në uljen e këtij fenomeni” – tha ajo.
Ndërkaq, sipas sociologut, Labinot Kunushevci, viktimat e dhunës kanë nevojë për rehabilitim varësisht nga lloji i dhunës së përjetuar, niveli i pasojave dhe aftësive që posedon viktima në rehabilitim.
Sociologu thotë se viktimat meritojnë integrim dhe pranim shoqëror pas një periudhe krize, në fazën post-dhunë, dhe jo të anashkalohen apo penalizohen, sepse kjo, sipas tij, do ta thyejë edhe më shumë viktimën.
“Trajnimet, këshillimet, seancat socio-psikologjike ndihmojnë shumë. Gjithmonë trajtimet duhet të shikohen nga këndvështrimi i rrethanave që e kanë shkaktuar dhunën. Pra jetëgjatësia e trajtimeve varet nga specifikat e viktimave. Viktimat e dhunës në Kosovë shpesh herë anashkalohen nga institucionet përgjegjëse, duke e lënë fatin dhe mirëqenien në fatin e tyre dhe jo në garancitë e shtetit apo të shoqërisë. Angazhimi sa më kolektiv i shoqërisë civile do t’u ndihmonte viktimave që t’i kthehen jetës në normalitet”- theksoi ai.
Çka ka në dorë shteti?
Që nga viti 2008, Kosova ka miratuar disa ligje dhe politika drejt adresimit dhe përmirësimit të reagimit të saj institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
Në vitin 2019, Kodi Penal i Kosovës (KPK) u ndryshua për të përfshirë veprat penale në përputhje me KS, duke përfshirë: dhunën në familje, ngacmimet seksuale dhe gjymtimin e organeve gjenitale të grave.
KPK tani e njeh dhunën në familje si dhunë fizike, psikologjike, seksuale ose ekonomike ose keqtrajtim brenda një marrëdhënieje familjare. Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje (LMDHF) përcakton në mënyrë të ngjashme këto lloje të dhunës.
Ndërkohë, në vitin 2020 Kosova filloi të bëj hapat e parë për të ndryshuar LMDHF në mesin e ligjeve tjera relevante, për të përmbushur më mirë nevojat e identifkuara dhe për t’i harmonizuar ato me KS.
Kosova ka po ashtu Strategji Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.
Departamenti i Shërbimeve Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka mandat inicimin, hartimin, monitorimin dhe inspektimin e programeve sociale dhe të mirëqenies që ndërlidhen me personat në nevojë pë shërbime sociale.
Po ashtu, ky Departament ka mandat hartimin e standardeve, licencimin e profesionistëve dhe subjeketeve juridike e joqeveritare që fushëveprimtari të tyre kanë mbrojtjen e personave në nevojë sociale.
Sipas një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë, bazuar në planin e rregullt vjetor të punës së Ministrisë mbi mbështetjen e projekteve të OJQ-ve, që fushëveprimtari të tyre kanë trajtimin e grupeve në nevojë për shërbime sociale dhe familjare, ne për çdo vit përgatisin dhe shpallin thirrjen publike për mbështetje të projekteve të OJQ-ve të licencuara.
Sipas MD-së, mbështetja financiare që ofrohet nga Ministria e Drejtësisë ndryshon ndër vite dhe ndryshon bazuar në nevojat që kanë këto strehimore për të implementuar programet e tyre për mbrojtjen, strehimin, rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave.
“Bazuar në nenin 12 dhe 20 të Rregullores së MF nr. 4 /2017 mbi kriteret, standardet dhe proceduarat e financimit publik të OJQ-ve, ne çdo vit ofrojmë mbështetje të projekteve të OJQ-ve të licencuara për shërbime sociale dhe familjare, OJQ-ve që trajtojnë viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit me qenie njerëzore, fëmijë të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare, përkujdesje ndaj personave të moshuar, përkujdesje ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe OJQ-të që trajtojnë persona, fëmijë dhe të rritur me sindroma të ndryshme”- thuhet në përgjigjen e MD-së.
Më tej thonë së OJQ dhe Ministria e Drejtësisë kanë marrëveshje bashkëpunimi tash e disa vjet, ndërsa sa i përket cilësisë së ofrimit të shërbimeve, OJQ, i nënshtrohen procesit të licencimit bazuar në kushtet dhe kriteret e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore.
Gjithashtu kanë theksuar se sa i përket cilësisë së shërbimeve që ofrohen nga këto subjekte, vlerësojmë se çdo herë duhet përmirësuar cilësia e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare dhe shtojnë se MD si institucion i hartimit të politikave sociale janë në përpjekje të vazhdueshme për përmirësim dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për kategoritë në nevojë sociale.
(Artikull i Kallxo.com)