Më 6 nëntor, në kuadër të Nismës “Përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të rritur qasjen në mbrojtje sociale cilësore për gra dhe burra të ndryshëm”, e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti një punëtori me temën “Shërbimet e mbrojtjes sociale dhe paraqitja e ankesave”. Aktiviteti u udhëhoq nga avokati Fitim Gashi dhe u ndoq nga përfaqësues të ndryshëm të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK) dhe Ruka Ruci, të cilët ndihmuan në zhvillimin e aktivitetit.
Gjatë sesionit hyrës, organizatat partnere ndanë përvojat dhe punën e tyre të vazhdueshme në fushën e mbrojtjes sociale. Ato prezantuan punën e tyre në ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e kapaciteteve për shërbimet e mbrojtjes sociale, duke filluar nga rritja e vetëdijes brenda strukturave të tyre dhe duke e zgjeruar atë në komunitetin më të gjerë.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi situatën aktuale sa i përket planeve të veprimit në nivel komunal për personat me aftësi të kufizuara, duke vënë në dukje se nga 38 komuna, vetëm 14 kanë miratuar plane të tilla. Ata po ashtu theksuan pabarazitë ndërmjet komunave në ofrimin e shërbimeve sociale. Për shembull, në disa komuna ofrohen ndihma që në komunat e tjera nuk ofrohen për shkak të kufizimeve buxhetore.
Pjesëmarrësit diskutuan hapur mbi sfidat e përditshme me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se “zakonisht, në rastet kur shkelet një e drejtë, njerëzit frikësohen të paraqesin ankesë, veçanërisht personat me aftësi të kufizuara.” U ngritën shqetësime se shumë persona frikësohen të humbasin ndihmën sociale nëse punësohen: “Edhe pse ndihma sociale nuk i hiqet personave me aftësi të kufizuara, frika ende ekziston.”
Një çështje tjetër e theksuar ishte mungesa e qasjes në informacion dhe shërbime. “Një sfidë tjetër për personat me aftësi të kufizuara është leximi dhe shkrimi, por kjo gjendet edhe tek asistentët e tyre personalë,” vuri në dukje një përfaqësues. Pjesëmarrësit gjithashtu përmendën se qasja e kufizuar në platformën online e-Kosova dhe mungesa e dokumenteve në gjuhë të tjera përveç shqipes e komplikon edhe më shumë qasjen në shërbime. “Nuk kanë të gjithë akses në internet për të kontrolluar se cilët dokumente janë të nevojshme për të aplikuar për shërbime sociale,” theksoi një pjesëmarrës. “Njerëzit duhet të lëvizin për të mbledhur dokumente të ndryshme, pasi jo të gjitha janë të listuara menjëherë.”
Diskutimet trajtuan gjithashtu sjelljen jo profesionale dhe kryesisht mungesën e respektit të anëtarëve të komisioneve që janë përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për shërbime sociale. “Vlerësimet e komisioneve janë të këqija, jo njerëzore,” tha një pjesëmarrës, duke theksuar nevojën për përgjegjshmëri më të madhe brenda këtyre organeve.
Avokati Fitim Gashi informoi pjesëmarrësit mbi procedurën për paraqitjen e ankesave dhe të drejtat e tyre ligjore sipas Ligjit Nr. 08/L-255 për Shërbimet Sociale dhe Familjare. Ai gjithashtu i inkurajoi pjesëmarrësit të raportojnë rastet e abuzimit, duke theksuar se kjo nismë ofron mbështetje gjatë gjithë procesit të paraqitjes së ankesave.
Gjatë gjithë sesionit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e monitorimit të sjelljes institucionale dhe raportimit të rasteve të keqpraktikave. “Në rast se keni aplikuar për një shërbim social dhe nuk keni marrë përgjigje, duhet të bëni ndjekje përmes email-it, duke kërkuar një përgjigje për aplikimin tuaj,” këshilloi Gashi.
Trajnimi përfundoi me një diskutim të hapur mbi rëndësinë e vetëdijes, përgjegjshmërisë dhe avokimit. Pjesëmarrësit ranë dakord se qytetarët duhet të jenë më mirë të informuar se ku dhe si të paraqesin ankesa dhe kërkesa për shërbime sociale. Siç përmblodhi një pjesëmarrës: “Ligji njeh të drejtat tona, por pa zbatim, ato të drejta mbeten vetëm në letër.”
