Me 29 qershor 2017 Këshilli i Evropës organizoi një seminar me qëllim të ngritjes së vetëdijes mbi Konventën e Këshillit të Evropës mbi Parandalimin dhe Luftimin e dhunës ndaj Gruas dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit), si një mjet efikas për të ndërmarrë veprim në këtë fushë, vecanërisht në fushën e përkrahjes së viktimave. Konventa e Stambollit kërkon një qasje kombëtare gjithpërfshirëse për të luftuar të gjitha format e dhunës ndaj grave, e që përfshinë masat parandaluese, mbrojtëse dhe përkrahëse për viktimat, si dhe ndëshkim korrekt për autorët e dhunës.
E përfaqësuar nga Nicole Farnsworth, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ishte ftuar ta bëjë një hyrje në standardet e Konventës së Stambollit, duke e theksuar rëndësinë e konventës për shoqërinë kosovare, si një mjet për të luftuar të gjitha format e dhunës ndaj grave. Znj. Farnsworth i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të rrisë përpjekjet në përkrahje të mundësive të strehimit të viktimave gra dhe fëmijëve të tyre si dhe të fuqizoj programet e banimit social, të përmirësoj programet rehabilituese dhe reintegruese për viktimat, si dhe rëndësinë e të punuarit me ushtruesit e dhunës. Tutje, ajo i bëri thirrje qeverisë që të ketë një buxhetim të duhur për të zbatuar plotësisht Konventën e Stambollit.
Seminari mblodhi së bashku akterët kryesor vendor dhe ndërkombatër, që operojnë në Kosovë në luftim të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Pjesëmarrësit u pajtuan se edhe pse Konventa e Stambollit nuk mund të ratifikohet në Kushtetutë, parimet e saj mund të përkthehen dhe të adaptohen, si dhe dispozitat e shërbimeve për gratë që janë viktima të dhunës në familje, e që parashihen në Konventën e Stambollit duhet të aplikohen edhe në Kosovë.