Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara shpesh përballen me dy shtresa margjinalizimi: diskriminimin me bazë gjinore dhe barrierat e krijuara nga diskriminimi i bazuar në aftësi. Këto pabarazi të ndërthurura kufizojnë qasjen e tyre në të drejtat themelore, veçanërisht në fushën e kujdesit shëndetësor dhe shëndetit riprodhues. Mungesa e qasjes fizike në objektet shëndetësore, mungesa e informacioneve të përshtatura dhe stereotipet e përhapura lënë shumë gra pa njohuri ose mjete për të marrë vendime të bazuara në informata për trupin e tyre.
Te vajzat adoleshente, këto sfida rëndohen nga tabutë rreth menstruacioneve dhe seksualitetit. Shumë prej tyre shmangin diskutimin për shqetësimet shëndetësore ose nuk kanë qasje në produkte e informacione thelbësore, duke rezultuar kështu në rrezik shëndetësor dhe përjashtim shoqëror.
Për të mbyllur këto boshllëqe, OJQ Handikos Mitrovica filloi një nismë të dizajnuar për të thyer barrierat dhe për të zhvilluar vetëbesimin, duke u ofruar grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara njohuritë, mbështetjen dhe mjetet për të kërkuar të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor.
Fuqizimi i vetëdijesimit dhe vetëbesimit
Handikos Mitrovica angazhoi gra dhe vajza me aftësi të kufizuara në Mitrovicë përmes një pakoje të integruar të trajnimeve, sesioneve informuese, vizitave të organizuara dhe veprimtarive avokuese, me synim forcimin e njohurive, pavarësisë dhe të qasjes së tyre në shëndetin riprodhues. Dy trajnime tre-ditore, në fillim të korrikut 2023, ofruan për 20 pjesëmarrë informacione thelbësore për shëndetin riprodhues, seksualitetin, infeksionet e transmetueshme seksualisht, rreziqet e shtatzënisë së hershme dhe mekanizmat institucionalë të ankesave. Në gusht, një sesion pasues me gra dhe me nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuara i thelloi edhe më tej njohuritë e pjesëmarrëseve për të drejtat e pacientit, duke dokumentuar njëkohësisht dhjetë raste të shkeljeve të pretenduara dhe duke hedhur bazë për avokim të mëtejmë.
Në të njëjtën kohë, Handikos Mitrovica ofroi një trajnim të dedikuar për nënat, për të forcuar komunikimin prind-fëmijë për tema të ndjeshme si puberteti, shëndeti menstrual dhe marrëdhëniet e shëndetshme, në mënyrë që ato t’i mbështesin më mirë vajzat e tyre.
Një sesion i udhëhequr nga kryeinfermierja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare u ofroi pjesëmarrëseve njohuri të drejtpërdrejta për mënyrën e paraqitjes dhe përcjelljes së ankesave. Njëzet e katër gra parashtruan pyetje praktike për hapat që duhen ndjekur, afatet e pritshme të përgjigjes dhe llojet e çështjeve që hyjnë në kuadër të përgjegjësive të Qendrës. Si rezultat i kësaj, pjesëmarrëset filluan t’i shohin mekanizmat e ankesave jo si pengesa burokratike, por si mjete të dobishme për të kërkuar të drejtat e tyre.
Nga vetëdijesimi te angazhimi
Përmes vizitave të organizuara në shërbimet këshilluese të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, pjesëmarrëset patën mundësinë të njihen nga afër me hapësirat dhe profesionistët që u qëndrojnë në dispozicion. Gjatë këtyre vizitave, 22 gra u informuan për shërbimet e planifikimit familjar, të shtatzënisë, të lindjes dhe të kujdesit pas lindjes, si dhe diskutuan me stafin mbi përshtatjet e mundshme për gratë me vështirësi në lëvizje ose me probleme me shqisa. Shumë prej tyre theksuan se thjesht njohja e ambienteve, orientimi se ku të shkojnë dhe me kë të flasin ua rritë vetëbesimin për të kërkuar shërbime në të ardhmen.
Trajnimet nuk ofruan vetëm dije, por krijuan edhe një hapësirë të sigurt ku pjesëmarrëset ndanë përvoja personale, duke ushqyer solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë. Pas trajnimeve, pjesëmarrëset raportuan rritje të ndjeshme të vetëbesimit. Ato u ndien më të gatshme të shkonin në vizita mjekësore në mënyrë të pavarur, të bënin pyetje dhe të këmbëngulnin për të drejtat e tyre. Disa madje nisën ta shpërndajnë njohuritë e reja me bashkëmoshataret në komunitet e tyre, duke shumëfishuar ndikimin e nismës përtej përfituesve të drejtpërdrejtë.
Handikos Mitrovica u angazhua edhe me palët lokale të interesit për të rritur vetëdijesimin rreth barrierave specifike me të cilat përballen gratë me aftësi të kufizuara. Ky dialog hapi rrugë për bashkëpunime të ardhshme me autoritetet komunale për përmirësimin e qasjes në shërbime, si në aspektin e infrastrukturës fizike ashtu edhe në ndjeshmërinë e ofruesve të shërbimeve.
Ndryshimi i qëndrueshëm për dinjitet dhe barazi
Duke u përqendruar te një grup që shpesh lihet anash, kjo nismë theu heshtjen dhe sfidoi stereotipet, duke dëshmuar se përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është dimension thelbësor i barazisë gjinore. Ajo tregoi se kur gratë me aftësi të kufizuara janë të informuara dhe të fuqizuara, ato mund të marrin kontrollin mbi shëndetin e tyre dhe të kërkojnë respektin që meritojnë. Kjo nismë e Handikos Mitrovica përfaqëson një hap drejt një shoqërie ku të gjitha gratë, pavarësisht aftësive, mund të jetojnë me dinjitet, barazi dhe autonomi.
Nisma “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara: një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit riprodhues” u realizua me mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës i Rrjetit të Grave të Kosovës, u financua nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancua nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), në vlerë prej 5,000€, nga qershori deri në gusht 2023. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “E drejta për shëndet”.
