Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministria e Financave (MeF) dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), do të lansojnë një iniciativë të re që institucionalizon Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor brenda MTI-së dhe MMPHS-së. Lansimi do të bëhet me 15 mars 2016, në Sheshin 21, prej orës 11:00. Mediet ftohen të marrin pjesë. Që nga viti 2015, Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë i obligon organizatat buxhetore që të zbatojnë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ). Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor mund ta bëjë planifikimin dhe ekzekutimin e buxheteve të qeverisë më efektiv, efikas, transparent, dhe më të barabartë për të gjithë. BPGj-ja përfshin integrimin e perspektivës gjinore në proceset dhe dokumentet buxhetore duke analizuar ndikimin potencialisht të ndryshëm që shpenzimet e planifikuara dhe burimet e alokuara kanë tek burrat dhe gratë. Kjo iniciativë mbështetet nga projekti i USAID-it Partneritetet për Zhvillim.