Presidentja krijon Këshillin për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale

Në një zhvillim tjetër të rëndësishëm, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë luftës me 7 mars, ku RrGGK është anëtare.
"Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, tema e viktimave të dhunës seksuale mbetet një temë tabu për t’u adresuar," tha Presidentja Jahjaga gjatë takimit të parë të Këshillit, ku morën pjesë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë. “Të mbijetuarat e dhunës seksuale vazhdojnë të vuajnë nga sëmundje të rënda psikologjike, si dhe nga vështirësitë socio-ekonomike.
     Ato kërkojnë mbështetje institucionale dhe shoqërore për t’u përballuar me realitetin e tyre të vështirë.”
Këshilli solli së bashku përfaqësues të ministrive kryesore që mund të mbështesin të mbijetuarat e dhunës, shoqërinë civile dhe palët ndërkombëtare drejt një përmirësimi, përgjigje më të mirë të koordinuar.
     Këshilli është themeluar në përgjigje të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura nga gratë që kishin përjetuar dhunë seksuale. Presidentja Jahjaga u takua me gratë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, në diskutime të ndihmuara nga RrGGK.
     Përmes Fondit të Grave të  Kosovës (përkrahur nga Kvinna till Kvinna dhe Austrian Development Agency), RrGGK ka mbështetur gratë të mbijetuara për të avokuar në institucionet për të adresuar më mirë nevojat e tyre.
     Gjatë fillimit të Këshillit, Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së foli për rolin që kanë luajtur organizatat e grave në përkrahjen dhe avokimin për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
     Sekretari i Jashtëm britanik William Hague uroi Presidenten Jahjaga dhe vlerësoi nismën e saj për themelimin e Këshillit. Ai e ka konsideruar punën e Këshillit thelbësore në mbështetjen e të mbijetuarve dhe adresimin e mungesës së llogaridhënies, raportoi radio Evropa e Lirë.
“Është përparim i konsiderueshëm që nga vizita ime e vitit të kaluar, kur ju shpjeguat se vendi juaj vazhdon të përballet me një numër sfidash në trajtimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë konfliktit," ka thënë Hague.