Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor

Gratë në politikë dhe vendimmarrje
Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE
E drejta për shëndet

Problemi

Pavarësisht zotimeve ligjore për barazi gjinore, zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) në Kosovë mbetet i dobët. Edhe pse më shumë institucione paraqesin anekse të BPGJ-së, cilësia e tyre është e dobët dhe mungon transparenca. Dokumentet kyçe fiskale rrallë shpjegojnë se si buxhetet mbështesin barazinë gjinore, ndërsa konsultimet publike shpesh anashkalohen. Vazhdon financimi i pamjaftueshëm i prioriteteve si kujdesi për fëmijë, mbikëqyrja e punës, mbështetja për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimet për DHBGJ. Forcimi i BPGJ-së është thelbësor për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe promovimin e shpenzimeve publike të barabarta.

Strategjia e RrGK-së

Përmirësimi i institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë, drejt përmirësimit të zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore, i realizuar përmes:

  • Politikave fiskale më të informuara nga analiza gjinore;
  • Rritjes së kapaciteteve të OShC-ve për të avokuar për zbatimin e BPGJ-së;
  • Rritjes së njohurive të zyrtarëve për BPGJ-në;
  • Rritjes së pjesëmarrjes së grave në konsultimet publike për buxhetin;
  • Përmirësimit të pjesëmarrjes së OShC-ve në integrimin e perspektivës gjinore në financimin e ndryshimeve klimatike.

Aktivitetet kryesore

  • Avokimi për institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) në ligjet dhe proceset kryesore buxhetore, përfshirë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Ligjin për Prokurimin Publik, Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, si dhe Ligjin për Buxhetin e vitit 2026 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
  • Monitorimi i zbatimit të BPGJ-së përmes raporteve mbikëqyrëse duke përdorur treguesit SDG 5.c.1 dhe PEFA;
  • Përmirësimi i kapaciteteve për BPGJ në ministri dhe komuna, veçanërisht për shërbimet sociale dhe buxhetimin lidhur me klimën;
  • Finalizimi dhe publikimi i analizave gjinore për transportin dhe ndryshimet klimatike, për të informuar më shumë për buxhetim të përgjegjshëm gjinor dhe klimatik;
  • Kryerja e llogaritjeve të kostove të shërbimeve për dhunën në baza gjinore në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor dhe publikimi i një raporti rajonal;
  • Avokimi me partnerë dhe organizata anëtare për heqjen e taksës mbi produktet menstruale;
  • Finalizimi dhe promovimi i dokumentit të Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor (RRMBGJ) mbi llogaridhënien e donatorëve dhe forcimi i ndikimit të RRMBGJ-së përmes ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit rajonal;
  • Vazhdimi i trajnimit dhe mentorimit të OShC-ve, përfshirë Demokracia Plus dhe Mitrovica Women’s Association, për të rritur avokimin për BPGJ.

Arritjet tona

  • Avokuam me sukses për përfshirjen e një Aneksi të BPGJ-së në Qarkoren e Buxhetit;
  • Bashkë-zhvilluam kurrikulën e parë në Kosovë për trajnimin mbi BPGJ-në me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institutin Kosovar të Administratës Publike, certifikuam trajnerë dhe promovuam përdorimin e saj në nivel vendi me partnerët;
  • Forcuam kapacitetet e BPGJ-së të 475 zyrtarëve komunalë dhe të ministrive, duke mbështetur analiza gjinore në ministritë kryesore dhe në qeverisjen lokale;
  • Kryem një vlerësim novator global të kostos së dhunës në baza gjinore, me metodologji të miratuar ndërkombëtarisht;
  • Siguruam rritje prej 67% në Buxhetin e Shtetit për vitin 2025 për shpenzimet bazë të strehimoreve për dhunë krahasuar me vitin 2024, dhe rritje prej €128,776 (31%) për Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, siç u rekomandua, duke rezultuar me 10 punonjës të rinj dhe një fuqi punëtore totale prej 46 personash (një rritje prej 28%).
  • Publikuam përmbledhjet e para në Kosovë mbi Kornizën Gjinore të PEFA-s dheSDG 5.c.1.
  • Ndihmuam themelimin dhe rritjen e Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor (RRMBGJ)” dhe ndërtuam kapacitetet e OShC-ve, donatorëve dhe zyrtarëve komunalë për të avokuar për BPGJ dhe për të përfshirë gratë në proceset buxhetore.