Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Problemi

Dëshmitë e shumta tregojnë se rolet dhe stereotipet gjinore, të formuara që në moshë të hershme, kontribuojnë në pabarazi dhe në dhunë në baza gjinore. Pavarësisht rishikimeve të fundit, kurrikulat arsimore vazhdojnë t’i përforcojnë këto norma të dëmshme. Pak të rinj mësojnë në shkollë për çështje që lidhen me seksualitetin dhe shëndetin seksual dhe riprodhues (SHSR). Po ashtu, nuk mësohet për përdorimin e kontraceptivëve. Edhe pse kurrikula ekziston, hulumtimet tregojnë se mësimdhënësit rregullisht anashkalojnë edukimin për shëndetin riprodhues, pjesërisht për shkak të normave kulturore, por edhe trajnimit të pamjaftueshëm. Kjo mund të rrisë nivelin e aborteve si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. OShC-të e grave kanë punuar për të rritur ndërgjegjësimin te të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara për sëmundjet e tilla. Megjithatë, nevojitet një qasje më e institucionalizuar.

Strategjia e RrGK-së

Përmirësimi i qasjes në arsim cilësor që sfidon normat ekzistuese gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit, i realizuar përmes:

  • Rekomandimeve të cilat ekzistojnë dhe u dërgohen akterëve përkatës për përmirësimin e kurrikulave dhe të mësimdhënies nga mësimdhënësit.
  • Rritjes së përgjegjshmërisë së institucioneve dhe mësimdhënësve për transformimin e normave gjinore gjatë mësimdhënies së edukatës seksuale në shkolla;
  • Rritjes së ndërgjegjësimit të vajzave, grave, djemve dhe burrave për normat gjinore dhe feminizmin, përmes materialeve të Zyrës për Marrdhënie me Publikun të RrGK-së.

Aktivitetet kryesore

  • Monitorimi i procesit të rishikimit të kurrikulave nga perspektiva gjinore dhe ofrimi i rekomandimeve për ndryshimin e kurrikulave institucionale, me synim uljen e pabarazive gjinore, transformimin e roleve gjinore dhe ndryshimit të normave gjinore dhe marrëdhënieve të pushtetit.
  • Avokimi për rishikimin dhe përmirësimin e teksteve aktuale – përfshirë tekstet universitare të të drejtës – për të promovuar më mirë barazinë gjinore dhe qasjen në drejtësi për gratë. Aty ku është e mundur, të përfshihet edhe edukimi lidhur me ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit;
  • Në bashkëpunim me organizatat anëtare, monitorimi i cilësisë dhe shpërndarjes së edukatës seksuale, si dhe avokimi për përmirësimin e kësaj edukate;
  • Vazhdimi me edukimin formal dhe joformal përmes shkollave, aktiviteteve në terren, demonstratave dhe fushatave në rrjete sociale.

Arritjet tona